Raportohet se Siria do të heqë dy zero në valutën e re - NACIONALE

Raportohet se Siria do të heqë dy zero në valutën e re

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Siria do të lëshojë bankënota të reja, duke hequr dy zero nga valuta në përpjekje për ta rikthyer besimin e publikut në funtin sirian të zhvlerësuar rëndë, sipas shtatë burimeve të afërta me çështjen dhe sipas dokumenteve që i ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”.

Me këtë hap synohet që të forcohet funti sirian, pasi fuqia blerëse e valutës pësoi rënie rekorde pas një konflikti 14-vjeçar që mori fund me rrëzimin nga pushteti të ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Vlera e funtit sirian ka rënë për më shumë se 99 për qind që nga fillimi i luftës më 2011. Tani, një dollar amerikan këmbehet me rreth 10 mijë funte siriane, në krahasim me 50 para luftës.

Rënia e madhe e vlerës së kësaj valute i ka bërë gjithnjë më të vështira transaksionet e përditshme dhe transferimin e parave.

Familjet zakonisht paguajnë produkte javore ushqimore nga qese të zeza plastike me të paktën gjysmë kilogrami bankënota 5000-she, të cilat tani për tani janë bankënotat me shifrën më të madhe.

Në përpjekje për t’i lehtësuar transaksionet dhe për ta përmirësuar stabilitetin monetar, Banka Qendrore e Sirisë i njoftoi bankat private në mesin e gushtit se synon që të lëshojë valutë të re përmes “heqjes së zerove”, sipas një dokumenti që e ka parë agjencia “Reuters”.

Agjencia “Reuters” bisedoi me pesë përfaqësues të bankave komerciale, një burim të Bankës Qendrore dhe një zyrtar sirian të ekonomisë, të cilët thanë se Banka Qendrore më vonë i kishte njoftuar se nga bankënota do të hiqeshin dy zero. Ata folën në kushte anonimiteti për të diskutuar rreth çështjes që nuk ishte bërë akoma publike.

Takimet rreth ndryshimeve në valutë janë drejtuar nga zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore, Mukhlis al-Nazer, sipas përfaqësuesve të bankave komerciale që morën pjesë në to.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse rivlerësimi i funtit do të kishte nevojë për miratim nga organi legjislativ. Siria pritet t’i mbajë zgjedhjet e para për Kuvend në shtator./Nacionale

Lajme të ngjashme