Raportohet se ShBA-ja e ka inkurajuar Sirinë që të dërgojë trupa në Liban
Shtetet e Bashkuara e kanë inkurajuar Sirinë që ta shqyrtojë dërgimin e forcave në pjesën jugore të Libanit për ta mbështetur çarmatosjen e Hezbollahut, por Damasku po ngurron për t’u bërë pjesë e një misioni të tillë nga frika se do të përfshihej në luftën e Lindjes së Mesme dhe do të ndizeshin tensionet sektare, thanë pesë persona me njohuri rreth çështjes.
Propozimi për qeverinë siriane e pasqyron intensifikimin e lëvizjeve për ta çarmatosur Hezbollahun e mbështetur nga Irani, grup që hapi zjarr kundër Izraelit në mbështetje të Teheranit më 2 mars, duke e nxitur fillimin e një ofensive izraelite në Liban, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ideja fillimisht ishte diskutuar mes zyrtarëve amerikanë e sirianë vitin e kaluar, thanë dy prej burimeve, zyrtarë sirianë, dhe dy të tjera që kishin njohuri rreth diskutimeve. Të gjithë folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Ideja u ngrit përsëri nga zyrtarët amerikanë afër kohës kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e filluan luftën e tyre kundër Iranit. Dy zyrtarët sirianë thanë se një kërkesë nga Uashingtoni erdhi pak kohë para fillimit të luftës. Megjithatë, një burim i inteligjencës perëndimore tha se një gjë e tillë u bë pak pas fillimit të konfliktit.
Agjencia “Reuters” foli me dhjetë burime për këtë artikull – gjashtë zyrtarë sirianë dhe këshilltarë qeveritarë, dy diplomatë perëndimorë, një zyrtar evropian dhe një burim i inteligjencës perëndimore. Të gjitha burimet thanë se qeveria siriane ka qenë duke shqyrtuar me kujdes një operacion matanë kufirit, por ka mbetur ngurruese.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit refuzoi t’i komentonte ato që i quajti “komunikime diplomatike private” dhe e drejtoi agjencinë “Reuters” te qeveritë siriane e libaneze për komente rreth operacioneve të tyre.
Pas publikimit të këtij artikulli, emisari amerikan për Sirinë, Tom Barrack, i cili gjithashtu është ambasador në Turqi, në rrjetin X tha se “raportimi në lidhje me inkurajimin e Sirisë nga Shtetet e Bashkuara për të dërguar forca në Liban është i rremë dhe i pasaktë”.
Një burim – zyrtar i lartë sirian – tha se Damasku dhe aleatët e tij arabë pajtohen se Siria duhet të qëndrojë jashtë luftës dhe të ndërmarrë vetëm masa mbrojtëse.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Informimit e Sirisë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment./Nacionale