Raportohet se sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së ua ka treguar gruas e vëllait planet për sulmet në Jemen - NACIONALE

Raportohet se sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së ua ka treguar gruas e vëllait planet për sulmet në Jemen

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkura, Pete Hegseth, ndau hollësi të një sulmi të marsit ndaj rebelëve Houthi të Jemenit disa orë para se ai të ndodhte në një grup mesazhesh ku përfshiheshin bashkëshortja dhe vëllai i tij si dhe avokati i tij personal, raportoi të dielën gazeta “The New York Times”.

Dyshohet se Hegseth-i ndau të njëjtat hollësi të sulmit që ishin zbuluar muajin e kaluar nga revista “The Atlantic”, pasi kryeredaktori i saj, Jeffrey Goldberg, ishte futur në një bisedë tjetër gabimisht në aplikacionin “Signal”, në një incident të turpshëm që i përfshiu të gjithë zyrtarët më të lartë për siguri kombëtare të presidentit Donald Trump, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Gazeta “The New York Times”, duke cituar katër burime të afërta me grupin e mesazheve, tha se në bisedën e dytë përfshiheshin hollësi të skemës së sulmeve ajrore, në mënyrë të ngjashme me bisedën e parë për të cilën kishte raportuar revista “The Atlantic”.

E përditshmja e njohur tha se biseda ishte hapur nga vetë sekretari Hegseth para se ai të konfirmohej në postin e sekretarit të Mbrojtjes dhe përfshinte rreth dhjetë persona të rrethit të tij të brendshëm. Ai e përdori telefonin privat për të siguruar qasje në bisedë.

Bashkëshortja e sekretarit, Jennifer, ish-producente në televizionin “Fox News”, gjithashtu raportohet se ka marrë pjesë në takime të ndjeshme me homologë të huaj ushtarakë, sipas raportimit të gazetës “The Wall Street Journal”.

Një burim me njohuri rreth çështjes i tha gazetës “The New York Times” se sekretarit Hegseth i ishte tërhequr vërejtja nga ndihmësit disa ditë para sulmeve në Jemen që të përmbahej nga ndarja e të dhënave të ndjeshme operacionale në grupin e bisedës në rrjetin “Signal”.

Pentagoni nuk ishte menjëherë i qasshëm për koment. Shtëpia e Bardhë nuk ktheu menjëherë një mesazh./Nacionale

Lajme të ngjashme