Raportohet se Putini do të garojë si kandidat i pavarur për president të Rusisë
Presidenti i tanishëm - me shumë gjasa, edhe i ardhshëm – i Rusisë, Vladimir Putin, do të garojë në zgjedhjet presidenciale si kandidat i pavarur, me përkrahje të gjerë nga partia, por jo nën emrin e saj, raportuan të shtunën agjencitë ruse të lajmeve, duke i cituar përkrahësit e tij.
Një grup nismash, i përbërë nga më shumë se 700 politikanë e figura nga sporti e kultura, u takua të shtunën në Moskë dhe njëzëri iu dha mbështetje nominimit të Putinit si kandidat i pavarur, thanë agjencitë ruse të lajmeve, përcjell agjencia “Reuters”.
Putini, që ka qenë në pushtet si president ose si kryeministër i vendit për më shumë se dy dekada, ka njoftuar se do ta kërkojë mandatin e gjashtë në zgjedhjet që do të mbahen në mars të vitit të ardhshëm. Pritet që ai të fitojë pa ndonjë problem.
Kreu i Kremlinit nuk do të garojë si kandidat i partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, edhe pse e ka përkrahjen e plotë të saj, por si kandidat i pavarur, citohet të ketë thënë Andrei Turchak, zyrtar i lartë i kësaj partie, sipas raportimit të agjencisë RIA.
“Më shumë se 3,5 milionë anëtarë e përkrahës të partisë do të marrin pjesë në mënyrë aktive në fushatë zgjedhore”- shtoi ai, duke theksuar se Putini është njëri nga themeluesit e partisë Rusia e Bashkuar.