Raportohet se Netanyahu i tregoi Trumpit për sulmin në Katar, “ai s’i tha jo”
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i kishte treguar presidentit amerikan, Donald Trump, javën e kaluar për sulmin që do të kryej ndaj krerëve të Hamasit në Doha të Katarit rreth 50 minuta para sulmit, sipas një raporti të mediumit amerikan, “Axios”.
Disa zyrtarë izraelitë i thanë këtij mediumi se Shtëpia e Bardhë e dinte për sulmin e së martës së kaluar para se të hidheshin raketat. Trumpi tha pas sulmit se Shteteve të Bashkuara nuk u ishte dhënë paralajmërim kuptimplotë për sulmin në Doha, dhe se ai ishte munduar që t’i jepte paralajmërim Katarit, por nuk kishte kohë dhe se ai ishte “shumë i palumtur” për incidentin, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
Të dielën, presidenti amerika iu tha gazetarëve se Izraeli duhet të jetë “shumë, shumë i kujdesshëm” për mënyrën se si e trajton Katarin, të cilin e quajti “aleat të madh”.
Në të vërtetë, njoftimi i Izraelit i kishte lënë Trumpit kohë të mjaftueshme për ta anuluar sulmin, sipas tre zyrtarëve me njohuri të drejtpërdrejta të cituara në raport, duke thënë se Netanyahu e kishte telefonuar Trumpin rreth orës 8 të mëngjesit sipas kohës lokale në Uashington. Raportimet e para për shpërthime në Doha dolën rreth 50 minuta më pas.
“Së pari, pati një diskutim në nivelin politik mes Netanyahut e Trumpit dhe më pas përmes kanaleve ushtarake. Trumpi nuk tha jo” – i tha mediumit “Axios” një zyrtar i lartë izraelit.
“Nëse Trumpi do të donte ta ndalte këtë, do të mundte. Praktikisht, ai s’e bëri këtë” – tha një zyrtar tjetër.
Nuk ishte e qartë në raportin e mediumit “Axios” se çfarë saktësisht është thënë në telefonatën mes Trumpit dhe Netanyahut e as nëse Trumpi e kishte njoftuar Katarin, përderisa ende kishte kohë për ta shmangur sulmin.
Një zyrtar tha se administrata amerikane kishte arsye për ta distancuar veten nga sulmi dhe kështu, “ato që ata i thonë publikisht duket të merren paksa me rezerva”./Nacionale