Raportohet se Netanyahu i ka pezulluar bisedimet për pengjet në Kajro pa u konsultuar me kabinetin - NACIONALE

Raportohet se Netanyahu i ka pezulluar bisedimet për pengjet në Kajro pa u konsultuar me kabinetin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të një delegacioni izraelit për bisedime të mëtejme për lirimin e pengjeve në Kajro, pa u konsultuar me kabinetin e luftës, raportohet në mediat izraelite.

Ky vendim nxiti zemërim në mesin e përfaqësuesve të familjeve të pengjeve dhe thuhet se u ka shkaktuar pakënaqësi edhe anëtarëve të kabinetit, Benny Gantz e Gadi Eisenkot, të cilët u takuan të mërkurën për ta diskutuar kundërpërgjigjen e tyre, pasi u mbajtën jashtë disa vendimeve kyçe rishtazi, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Netanyahu tha në një video-deklarim se nuk mund të bëhet asnjë përparim në bisedimet për lirimin e pengjeve derisa Hamasi të tërhiqet nga kërkesat e tij “deluzive”.

Në një deklaratë, Forumi i Pengjeve dhe Familjeve që Mungojnë – i cili përfaqëson anëtarë të familjeve të shumicës së pengjeve që kanë mbetur në Gaza – tha se ishte “i shtangur” nga vendimi për t’i “penguar” bisedimet e vazhdueshme, duke shtuar se “duket që disa nga anëtarët e kabinetit vendosën që ta sakrifikojnë jetën e pengjeve pa e pranuar këtë”.

Më tej, ky forum tha se vendimi do të shënojë “dënim me vdekje” për pengjet që ende mbeten në robëri.

Egjipti dhe Katari po synojnë që të ndërtojnë momentum në bisedime dhe të enjten po planifikonin që të zhvillonin takime që e shmangin pikën kyçe të mospajtimit: numrin e të burgosurve palestinezë që do të duhej të liroheshin nga Izraeli në një marrëveshje të mundshme.

Drejtorët e agjencive “Mossad” dhe “Shin Bet”, si dhe një këshilltar diplomatik i Netanyahut ishin në Kajro të martën për bisedime. Një burim në Zyrën e Kryeministrit tha se ata shkuan në Egjipt për të dëgjuar dhe për asgjë tjetër. Ato bisedime përfunduan pa ndonjë marrëveshje.

Televizioni publik izraelik raportoi të martën se Netanyahu kishte refuzuar një propozim të ri, të hartuar nga agjencitë “Mossad” e “Shin Bet” dhe ushtria izraelite për një marrëveshje për armëpushim e lirim të pengjeve.

Në mesin e kërkesave të Hamasit përfshihen lëvizjet drejt një armëpushimi të përhershëm, tërheqja e trupave izraelite nga Gaza, rindërtimi i enklavës dhe lirimi i rreth 1.500 të burgosurve palestinezë në këmbim të lirimit të pengjeve të mbetura. Izraeli thotë se këto kërkesa janë të papranueshme.

Lajme të ngjashme