Raportohet se Libani ka kërkuar nga Ambasada e Ukrainës të dorëzojë një agjent të dyshuar të Mossadit
Libani ka kërkuar nga Ambasada e Ukrainës në Bejrut që t’i dorëzojë një burrë që ka gjetur strehim aty dhe që dyshohet se punon me agjencinë izraelite të inteligjencës, Mossad, i thanë agjencisë së lajmeve AFP një zyrtar i lartë libanez i sigurisë dhe një burim nga Hezbollahu.
Libani dhe Izraeli kanë qenë në luftë zyrtarisht me dekada dhe shërbimet libaneze të sigurisë kanë arrestuar dhjetëra njerëz nën dyshimin se punonin për Izraelin, shumë prej të cilëve ishin rekrutuar përmes internetit pas kolapsit ekonomik të vendit që nisi më 2019, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Burimi nga Hezbollahu pretendon se në shtator ishte ndaluar një shtetas siriano-palestinez, i cili gjithashtu ka shtetësi ukrainase, pasi kishte parkuar një motoçikletë në një rrugë që çon në aeroportin e Bejrutit.
Motoçikleta “kishte të vendosur një pajisje shpërthyese të maskuar si bateri”, pretendoi burimi, duke kërkuar që të mbetej anonim.
Hezbollahu ishte duke e mbajtur këtë burrë në ndalim deri më herët këtë muaj, kur shpërtheu lufta me Izraelin.
Më 6 mars, ushtria izraelite goditi një ndërtesë në periferinë jugore, afër vendit ku po mbahej ky person, duke i mundësuar që të ikte dhe të hynte në Ambasadën e Ukrainës, pretendon më tej burimi.
Agjencia e Sigurisë së Përgjithshme e Libanit thotë se ka arritur që të arrestojë pesë pjesëtarë të dyshimtë të grupit që ishte duke punuar me burrin e dyshuar dhe i ka paraqitur ata para sistemit të drejtësisë.
Hassan Choukeir, drejtor i Sigurisë së Përgjithshme, i tha AFP-së se “Ambasada e Ukrainës në Liban na kontaktoi më 10 mars, duke kërkuar që ta autorizonim shtetasin e saj... i cili ishte i pranishëm aty dhe i kishte humbur pasaporta, të largohej përmes aeroportit të Bejrutit”.
“Pas kontrollimit të emrit dhe fotografisë së tij, ne morëm vesh se ai kërkohet nga sistemi libanez i drejtësisë dhe është subjekt i një numri të njoftimeve për kërkim dhe hetim nga agjencitë libaneze të sigurisë” – shtoi ai.
Choukeir tha se autoritetet i thanë Ambasadës së Ukrainës se është e obliguar që ta dorëzojë personin, duke shtuar se ai “kërkohet për përfshirje në një celulë që i përket Mossadit që po planifikonte vrasje dhe bombardime në periferitë jugore të Bejrutit”.
Ambasada e Ukrainës nuk iu përgjigj kërkesave të agjencisë AFP për koment.
Në tetor, një burim nga sistemi gjyqësor i tha AFP-së se mbi 30 njerëz ishin arrestuar nën dyshimin se i kishin ofruar Izraelit të dhëna të sakta për objektet e Hezbollahut dhe lëvizjet e anëtarëve të grupit gjatë luftës së mëparshme me Izraelin më 2023 dhe 2024./Nacionale