Raportohet se Katari i ka kërcënuar udhëheqësit e Hamasit me dëbim, nëse s'i zbusin kërkesat për armëpushim - NACIONALE

Raportohet se Katari i ka kërcënuar udhëheqësit e Hamasit me dëbim, nëse s'i zbusin kërkesat për armëpushim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ndërmjetësit nga Egjipti dhe Katari besojnë se është bërë përparim domethënës këtë javë drejt sigurimit të një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, pasi dukej se bisedimet ishin bllokuar, i tha të martën gazetës “The Times of Israel” një diplomat i lartë arab.

Përparimi u arrit pasi Katari i bëri presion të konsiderueshëm Hamasit, duke e paralajmëruar grupin se udhëheqësit e tij që banojnë në Katar do të dëboheshin nga vendi, nëse nuk e përshtatin qasjen e tyre në bisedime, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Ai që duket si hap i rëndësishëm do ta ringjallte shpresën se palët mund të arrijnë një marrëveshje, pasi një afat joformal më herët këtë javë kaloi, ndërsa Izraeli e Hamasi u bllokuan në çështje themelore dhe të dyja palët e akuzuan njëra-tjetrën për mungesë të interesimit për marrëveshje për pauzë në luftime dhe lirim të pengjeve.

Një zyrtar i lartë i Hamasit i tha televizionit “Al Arabiya” të martën se grupi kishte pranuar një version të modifikuar të një propozimi të ShBA-së, të mbështetur në një kornizë që tashmë ishte pranuar nga Izraeli gjatë një takimi në Paris muajin e kaluar. Hamasi më vonë lëshoi një deklaratë, duke e mohuar raportimin.

Sipas propozimit për armëpushim me tri faza, që është duke u diskutuar, rreth 40 pengje do të liroheshin në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë që po mbahen nga Izraeli, tha diplomati arab. Në grupin e parë të pengjeve të liruara do të përfshiheshin gratë, të moshuarit dhe të plagosurit.

Në fazën e dytë do të liroheshin burrat, ndërsa në fazën e tretë do të dorëzoheshin trupat e pengjeve që kanë vdekur.

Gazeta amerikane “The Wall Street Journal” e para raportoi të shtunën se Katari po e shtonte presionin ndaj udhëheqësve të Hamasit që banojnë në këtë shtet për të pranuar një marrëveshje, duke i kërcënuar ata me dëbim nga vendi, nëse nuk i zbusin kërkesat.

Zyrtari i Hamasit, Husam Badran, e mohoi raportimin dhe e fajësoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për ngërçin në bisedime, duke pretenduar se ai “refuzon që të merret me gjithçka që është në tavolinë”.

Lajme të ngjashme