Raportohet se janë pezulluar bisedimet në planin e Trumpit për Gazën, shkak lufta me Iranin - NACIONALE

Raportohet se janë pezulluar bisedimet në planin e Trumpit për Gazën, shkak lufta me Iranin

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Bisedimet për ta avancuar planin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gaza janë pezull nga java e kaluar, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli në mënyrë të përbashkët e sulmuan Iranin, duke nxitur një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme, thanë tri burime me njohuri të drejtpërdretja me bisedimet.

Kjo pauzë rrezikon që ta lërë prapa zbatimin e nismës së Trumpit për paqe në Lindjen e Mesme, të cilën e ka paraqitur si objektiv të rëndësishëm të politikës së jashtme. Një gjë e tillë vjen më pak se një muaj pasi ai siguroi zotime për miliarda dollarë nga shtetet arabe të Gjirit Persik, të cilat tani po ballafaqohen me sulme iraniane, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Plani i Trumpit për Gazën është varur pjesërisht nga ajo nëse militantët e Hamasit do t’i ulin armët në këmbim të amnistisë, hap me të cilin synohet t’i hapet rruga rindërtimit të Gazës dhe tërheqjeve të mëtejme të ushtrisë izraelite.

Bisedimet për këtë temë dhe çështje të tjera u ndërprenë me fillimin e luftës kundër Iranit më 28 shkurt, thanë tri burimet, duke folur në kushte anonimiteti. Për ndonjë pauzë në bisedimet për çarmatosje nuk është raportuar më parë.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë mohoi se ka pasur ndonjë pauzë në bisedime, duke thënë: “Diskutimet për çarmatosje janë duke vazhduar dhe pozitive. Të gjithë ndërmjetësit pajtohen se ky është një hap kritik për ta mundësuar rindërtimin për njerëzit e Gazës.”

Njëri nga burimet, i cili ka njohuri të drejtpërdrejta rreth punës së Bordit të Paqes të Trumpit, e përshkroi pauzën si vonesë të shkurtër e të vogël, e shkaktuar nga pengesat në udhëtime, të cilat u pamundësuan ndërmjetësve dhe përfaqësuesve që të udhëtonin nëpër rajon. Bisedimet shpesh janë mbajtur në Kajro të Egjiptit.

Në rrafshin afatgjatë, Bordi i Paqes beson se lufta mund të përshpejtojë një zgjidhje për çështjen e çarmatosjes duke e larguar ndikimin e Iranit, i cili për një kohë të gjatë e ka mbështetur Hamasin financiarisht, tha njëri nga burimet.

Një burim tjetër – një zyrtar palestinez i afërt me përpjekjet për ndërmjetësim – tha se Hamasi pritej të zhvillonte bisedime me ndërmjetësit nga Egjipti, Katari dhe Turqia ditën kur shpërtheu lufta, por takimi u anulua dhe ende nuk është caktuar data e re për të./Nacionale

Lajme të ngjashme