Raportohet se Izraeli u ka dërguar ndihma humanitare e mjekësore druzëve në Sweida të Sirisë - NACIONALE

Raportohet se Izraeli u ka dërguar ndihma humanitare e mjekësore druzëve në Sweida të Sirisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Izraeli dërgoi ndihma humanitare e pajisje mjekësore pakicës druze në qytetin Sweida të Sirisë gjatë natës në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara, raportoi të dielën televizioni izraelit, ndërsa një vëzhgues dhe reporterët thanë se qetësia ishte rikthyer në provincën jugore siriane pas një jave të dhunës sektare mes luftëtarëve druze dhe grupeve rivale, kur u vranë më shumë se 1.100 njerëz.

Sipas transmetuesit publik izraelit, “Kan TV”, Izraeli e bashkërendoi dërgimin e këtyre ndihmave me Shtetet e Bashkuara, të cilat u bashkërenduan me Qeverinë e Sirisë. Televizioni tha se në atë moment nuk ishte në gjendje që të ofronte ndonjë informatë të mëtejme për atë se si ishte kryer operacioni, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Ministria e Shëndetësisë kishte njoftuar të shtunën se forcat izraelite të sigurisë do të dërgonin pajisje mjekësore dhe ilaçe në një spital në Sweida që ishte dëmtuar rëndë gjatë përleshjeve të fundit, porsa ta merrte dritën e gjelbër për një veprim të tillë nga të gjitha autoritetet relevante.

“Vëllazëria jonë me komunitetin druze është e njohur mirë, por përtej saj, ne jemi të përkushtuar ndaj një “marrëveshjeje të jetës”. Ne nuk mund të rrimë kot, kur anëtarë të komunitetit – brenda apo jashtë Izraelit – janë në rrezik” – tha për këtë vendim ministri i Shëndetësisë i Izraelit, Uriel Buso.

Dërgesa e raportuar e ndihmave erdhi kur një armëpushim i njoftuar të shtunën u duk se po respektohej, pasi marrëveshjet e mëhershme kishin dështuar që t’u jepnin fund luftimeve mes druzëve dhe luftëtarëve beduinë, të cilat më pas e nxitën përfshirjen e forcave qeveritare siriane, ushtrisë izraelite dhe fiseve të armatosura nga pjesë të tjera të Sirisë.

Korrespondentët e agjencisë së lajmeve AFP në periferi të qytetit Sweida raportuan se nuk kishin dëgjuar përleshje të dielën në mëngjes, ndërsa forcat qeveritare ishin të dislokuara në disa lokacione në provincë për ta zbatuar armëpushimin.

Autokolona e parë me ndihma humanitare hyri në qytet të dielën, tha zyrtari i Gjysmëhënës së Kuqe, Omar al-Malki, duke shtuar se ajo do të pasohej nga ndihma të tjera.

Sipas tij, autokolona erdhi “në bashkërendim me trupat qeveritare dhe autoritetet lokale në Sweida”, të cilat kontrollohen nga druzët.

Ndërkohë, Qeveria e Sirisë tha se një grup druze e bllokoi hyrjen e një autokolone të saj në qytet.

Dëshmitarët, grupet druze dhe Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, grup me bazë në Britaninë e Madhe, i kanë akuzuar forcat qeveritare se ua kanë mbajtur anën beduinëve dhe kanë kryer abuzime, përfshirë ekzekutimet jashtëgjyqësore, kur hynë në Sweida para disa ditëve./Nacionale

Lajme të ngjashme