Raportohet se Izraeli do t’i japë Hamasit 60 ditë afat për çarmatosje ose e rinis luftën - NACIONALE

Raportohet se Izraeli do t’i japë Hamasit 60 ditë afat për çarmatosje ose e rinis luftën

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Izraeli planifikon që t’i japë Hamasit 60 ditë kohë për t’u çarmatosur dhe nëse grupi nuk e bën këtë gjë, ushtria izraelite do t’i rikthehet luftës në Rripin e Gazës, tha të hënën një këshilltar i lartë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Sekretari i kabinetit, Yossi Fuchs, e dha këtë deklaratë një ditë pasi kryeministri izraelit pohoi se Hamasi duhet t’i dorëzojë armët e vogla si pjesë e procesit të çarmatosjes, përfshirë pushkët e tipit AK-47 – pas disa raportimeve se grupit mund t’i lejohet mbajtja e pushkëve tash për tash, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Duke folur në Jerusalem, në konferencën e Grupit Besheva, Fuchs tha se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e kishte kërkuar periudhën 60-ditore dhe “ne do ta respektojmë atë”.

Ai sqaroi se nuk është i sigurt se kur filloj kjo periudhë dymujore, por si një gjë e tillë mund të merret data 19 shkurt, kur do të mbahet konferenca e Bordit të Paqes.

Gjatë kësaj kohe, Hamasi “do të duhet t’i dorëzojë të gjitha armët e veta”, përfshirë pushkët, tha ai, duke pohuar se ato të tipit AK-47 “do të merren tërësisht nga ta”.

“Ne do ta vlerësojmë këtë. Nëse funksionon, mrekulli. Nëse jo, atëherë ushtria izraelite do të duhet që ta kompletojë misionin” – paralajmëroi këshilltari i Netanyahut.

Ai shtoi se është “vlerësim i arsyeshëm” se para zgjedhjeve të ardhshme në Izrael – që tani për tani janë të caktuara për tetor, por mund të shtyhen deri në qershor – ose Hamasi do të duhet t’i dorëzojë armët, ose ushtria izraelite do të jetë në mesin e një fushate të re e intensive ushtarake në Gaza.

Fuchs gjithashtu tha se ka shumë tunele në Gaza që gjithashtu duhet të shkatërrohen si pjesë e procesit të çarmatosjes.

Sipas një raporti të publikuar javën e kaluar nga gazeta “The Neë York Times”, Hamasit do t’i lejohet mbajtja e “disa armëve të vogla”, të paktën fillimisht, por duhet të dorëzohen të gjitha armët që “janë në gjendje ta godasin Izraelin”, sipas një draft-plani të hartuar nga zyrtarët e përfshirë në Bordin e Paqes./Nacionale

Lajme të ngjashme