Raportohet se gjashtë shtete janë zotuar t’i bashkohen Bordit të Paqes të Trumpit për Gazën
Shtetet e Bashkuara po u thonë vendeve partnere se i ka siguruar zotimet nga Egjipti, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Gjermania se udhëheqësit e tyre do t’i bashkohen presidentit amerikan, Donald Trump, në Bordin e Paqes që do ta mbikëqyrë menaxhimin e Gazës pas luftës, i thanë gazetës “The Times of Israel” katër zyrtarë të afërt me çështjen.
Zotimet nga gjashtë shtetet – përfshirë palë domethënëse në Lindjen e Mesme dhe Evropë – ofrojnë investim jetik ndërkombëtar në përpjekjet e administratës së Trumpit për ta avancuar planin e saj të paqes për Gazën nga faza fillestare e armëpushimit, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
Megjithatë, gatishmëria për t’u ulur në Bordin e Paqes nuk nënkupton se mbështetja e mëtejmë nga secili prej këtyre shteteve është e garantuar, sipas një zyrtari amerikan, një zyrtari izraelit dhe dy diplomatëve arabë që folën në kushte anonimiteti.
Prapëseprapë, Shtetet e Bashkuara po shpresojnë se anëtarësimi i gjerë në Bordin e Paqes do ta fuqizojë legjitimitetin ndërkombëtar të kësaj nisme dhe do t’i shtojë gjasat që shtetet të jenë të gatshme për të kontribuuar me fonde, trupa ose forma të tjera të mbështetjes.
Për më tepër, Uashingtoni po synon që pjesë të Bordit të Paqes t’i bëjë edhe gjashtë udhëheqës të tjerë shtetesh, përfshirë presidentin turk, Rexhep Erdogan, dhe princin saudit, Mohammed bin Salman.
Departamenti i Shtetit i ShBA-së si dhe ministritë e jashtme të vendeve të përmendura më sipër nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Sigurimi i zotimeve për trupa të huaja në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit ka qenë betejë shumë më e vështirë se anëtarësimi në Bordin e Paqes, pasi shtetet ende po kërkojnë më shumë qartësi në lidhje me mandatin e forcës.