Raportohet se forcat speciale ukrainase po veprojnë edhe në Sudan - NACIONALE

Raportohet se forcat speciale ukrainase po veprojnë edhe në Sudan

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Raportohet se forcat speciale ukrainase janë duke operuar në Sudan në përkrahje të ushtrisë sudaneze kundër mercenarëve rusë të grupit “Wagner”, që i mbështesin Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, sipas një videoje të publikuar të hënën.

Mediumi ukrainas, “Kyiv Post”, publikoi një video të shkurtër për të cilën tha se është ofruar nga burimet brenda inteligjencës ushtarake ukrainase, përgjegjëse për operacione sekrete, ku shihet një i burgosur i kapur rus duke u marrë në pyetje pranë dy burrave afrikanë, raporton gazeta “The Guardian”.

Ushtari rus thotë se ai është nga “PMC Wagner” dhe se kishte hyrë në Sudan nga Republika e Afrikës Qendrore, ku luftëtarët e këtij grupi e kanë bazën, “për ta rrëzuar qeverinë lokale” me një forcë prej rreth 100 trupash.

Vendi dhe përmbajtja e videos nuk janë vërtetuar në mënyrë të pavarur.

Megjithatë, këto pamje kanë shpërfaqur disa muaj spekulime se forcat ukrainase janë duke vepruar në Sudan si pjesë e një fushate të Kievit për t’i sulmuar interesat ruse shumë përtej vijës së frontit në Ukrainë.

Në video që kanë qarkulluar më parë shihen sulme ukrainase me dronë kamikazë kundër Forcave të Mbështetjes së Shpejtë dhe një snajperist duke vepruar në Sudan, që në rrjete sociale është përshkruar si ukrainas.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takua me komandantin e ushtrisë sudaneze, Abdel Fattah al-Burhan, në një aeroport në Irlandë në shtator. “I diskutuam sfidat e përbashkëta të sigurisë, më saktësisht aktivitetet e grupeve të armatosura ilegale të financuara nga Rusia” – kishte thënë presidenti ukrainas atë kohë.

Ukraina gjithashtu ka ndjekur një strategji të zhvillimit të operacioneve të forcave speciale brenda Rusisë në përpjekje për të shënuar fitore propagande kundër armikut dhe për të dëshmuar se asnjë vend nuk është domosdo i sigurt nga forcat e saj – edhe pse ato janë rrallë domethënëse ushtarakisht.

Më herët këtë vit, Ukraina publikoi një video për të cilën tha se shfaq pjesëtarë të forcave speciale të saj duke kryer një bastisje brenda rajonit jugperëndimor rus, Belgorod, duke i detyruar zyrtarët lokalë që të zhvendosnin familje për shkak të sigurisë.

Ushtria sudaneze është duke luftuar kundër Forcave të Mbështetjes së Shpejtë nga pranvera e vitit të kaluar. Në shumë raportime thuhet se rebelët janë duke u mbështetur nga grupi “Wagner”, tashmë më shumë nën kontrollin e Moskës që nga vdekja e shefit të grupit, Yevgeny Prigozhin.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme