Raportohet se Britania i ka dhuruar Ukrainës edhe dhjetëra raketa “Storm Shadow” - NACIONALE

Raportohet se Britania i ka dhuruar Ukrainës edhe dhjetëra raketa “Storm Shadow”

1 javë më parë

nga NACIONALE

Qeveria britanike rishtazi e ka furnizuar Ukrainën me dhjetëra raketa “Storm Shadoë” shtesë, i kanë thënë burimet mediumit “Bloomberg”.

Këto raketa kanë rreze veprimi prej rreth 250 kilometrash dhe janë të ngjashme me raketat e sistemit amerikan, ATACMS. Në të kaluarën i janë dhënë Kievit nga Britania dhe Franca për të vënë në shënjestër caqe brenda kufirit ukrainas të njohur ndërkombëtarisht, raporton gazeta “The Guardian”.

“Bloomberg”-u raporton se dërgesa e raketave, që nuk u njoftua publikisht, ka ndodhur para disa javëve dhe është urdhëruar pasi Ukraina mbeti me pak raketa me rreze të gjatë veprimi, sipas burimeve që kërkuan të mos identifikoheshin.

Ato u dërguan para vendimit të ri nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania për ta lejuar Ukrainën që të hedhë raketa me rreze të gjatë drejt caqeve brenda territorit të Rusisë. Burimet refuzuan që të tregonin se kur saktësisht kanë arritur raketat në Ukrainë ose që ta jepnin numrin e tyre, duke e përmendur nevojën për siguri operacionale.

Forcat ukrainase hodhën raketa britanike “Storm Shadow” në caqe brenda Rusisë për herë të parë javën e kaluar, një ditë pasi kishin hedhur edhe raketa amerikane të sistemit ATACMS, në një objekt ushtarak në rajonin perëndimor të Brianskut.

Vendimet nga Londra dhe Uashingtoni për t’i lejuar sulmet brenda territorit rus, kërkesë e vjetër nga Ukraina, erdhën si kundërpërgjigje ndaj dislokimit të trupave nga Koreja e Veriut për të luftuar në Ukrainë, sipas zyrtarëve të dy aleatëve perëndimorë të Kievit.

Moska ka thënë se përdorimi i armëve perëndimore për të sulmuar territor rus larg kufirit do të ishte përshkallëzim i madh në luftë./Nacionale

Lajme të ngjashme