Raportohet se administrata e Bidenit po e humb besimin ndaj fjalëve të Izraelit - NACIONALE

Raportohet se administrata e Bidenit po e humb besimin ndaj fjalëve të Izraelit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyrtarë amerikanë i kanë thënë uebfaqes “Axios” se administrata e presidentit Joe Biden të Shteteve të Bashkuara po i beson gjithnjë më pak asaj që po e thotë Izraeli rreth planeve ushtarake e diplomatike.

“Besimi ynë ndaj izraelitëve është shumë i ulët tani dhe për një arsye të mirë” – tha njëri nga katër zyrtarët amerikanë që biseduan me mediumin “Axios”, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Dy zyrtarë i thanë mediumit se këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, Jake Sullivan, i tha të premten ministrit të Punëve Strategjike, Ron Dermer, se Shtetet e Bashkuara presin “qartësi dhe transparencë” nga Izraeli për planet e tij për sulm të mundshëm ndaj Iranit, pasi Teherani hodhi rreth 200 raketa balistike drejt Izraelit javën e kaluar.

Zyrtarët theksuan se çfarëdo sulmi izraelit do të kishte ndikim ndaj forcave amerikane në rajon.

Një zyrtar tha se porosia e Sullivanit ishte sinjal që nëse Shtetet e Bashkuara nuk njoftohen paraprakisht për planet e Izraelit, Uashingtoni nuk do t’i bashkohet patjetër një koalicioni për mbrojtjen e Izraelit kundër një sulmi të mundshëm nga Irani në të ardhmen.

Në raport gjithashtu thuhet se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara edhe për operacionin e ri të ushtrisë izraelite në pjesën veriore të Gazës, pavarësisht nga fakti që Izraeli i ka thënë Uashingtonit se urdhrat e evakuimit për civilë atje nuk do të çojnë te zhvendosja e përhershme e popullsisë./Nacionale

Lajme të ngjashme