Raportohet se 11-vjeçari Mohammad Al-Hallaq u vra në Bregun Perëndimor - NACIONALE

Raportohet se 11-vjeçari Mohammad Al-Hallaq u vra në Bregun Perëndimor

4 javë më parë

nga NACIONALE

Mediat palestineze raportojnë se një djalë 11 vjeç, i identifikuar si Mohammad Bahjat Al-Hallaq, u qëllua për vdekje nga forcat izraelite në pjesën jugore të Bregut Perëndimor të enjten në mbrëmje. Ushtria izraelite tha të premten se një hetim është duke u zhvilluar.

Sipas raportimeve, incidenti ndodhi në fshatin Al-Rihiya, në jug të Hebronit, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Autoritetit Palestinez, WAFA, tha se trupat izraelite hapën zjarr në drejtim të një grupi të fëmijëve që ishin duke luajtur futboll në oborrin e një shkolle dhe se 11-vjeçari u qëllua në pjesën e poshtme të barkut. Ai u dërgua me urgjencë në spital në gjendje kritike dhe më vonë u shpall i vdekur.

Në një përgjigje për gazetën “The Times of Israel”, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit të premten pranuan se kishin hapur zjarr në drejtim të “të dyshuarve” në zonën e Hebronit të enjten.

“Dje, gjatë një aktiviteti operacional në zonën e Al-Rihiya-s, [nën përgjegjësinë e] Brigadës Judea, rrëmuja dhe hedhje gurësh iu drejtuan forcave izraelite” – tha ushtria. “Forcat u kundërpërgjigjën me zjarr drejt të dyshuarve që po hidhnin gurë dhe u identifikuan goditje” – thuhet më tej.

Ushtria izraelite nuk i pranoi drejtpërdrejt raportimet se fëmija ishte vrarë, duke thënë vetëm se “incidenti është nën hetim” dhe se asnjë ushtar nuk është lënduar.

Në një rast tjetër, ushtria tha të enjten se kishte vrarë një sulmues në Qabatiya, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, i cili kishte hedhur një mjet shpërthyes në drejtim të ushtarëve./Nacionale

Lajme të ngjashme