Raportohet për tre gazetarë të vrarë nga një sulm izraelit në Liban
Një sulm izraelit të premten herët la të vrarë të paktën tre gazetarë, përderisa ata po flinin në një bujtinë në Hasbaya, në jug të Libanit, raportuan mediat libaneze.
Në mesin e të vrarëve ishin kameramani Ghassan Najjar dhe inxhinieri Mohamed Reda,, që punonin për mediumin pro-iranian, “Al-Mayadeen”, dhe një kameraman që punonte për mediumin e Hezbollahut, “Al-Manar”, raportoi “Al-Mayadeen”.
Reporterët në vendin e ngjarjes thanë se ndërtesa ku po flinin burrat u vu në shënjestër në mënyrë të drejtpërdrejtë, raporton agjencia "Reuters".
“Shënjestrimi i rezidencës së gazetarëve ishte i qëllimshëm dhe ka gazetarë të lënduar nga kanale të tjera arabe” – tha Ghassan bin Jiddo, drejtor i mediumit “Al-Mayadeen”.
“Ne e mbajmë pushtimin [Izraelin] plotësisht përgjegjës për këtë krim lufte, në të cilin ekipe gazetarësh, përfshirë ekipin e “Al-Mayadeen”, u vunë në shënjestër” – shtoi ai.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Izraeli.
Vrasja e këtyre personave vjen 24 orë pasi një sulm izraelit goditi një zyrë që përdorej nga mediumi “Al-Mayadeen” në periferinë jugore të Bejrutit.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se një person u vra dhe pesë të tjerë, përfshirë një fëmijë, u plagosën nga ai sulm.