Raportohet për tetë të vrarë nga bombardimet pakistaneze në Kashmirin indian
Bombardimet gjatë natës nga ushtria pakistaneze kanë kënë të vrarë të paktën tetë njerëz në anën indiane të Vijës së Kontrollit në Kashmir, i tha televizionit CNN një burim i lartë i mbrojtjes në Indi.
India dhe Pakistani kanë pasur shkëmbime pothuajse të përditshme të zjarrit matanë Vijës së Kontrollit që nga masakra ndaj turistëve më 22 prill, e cila i përshkallëzoi tensionet mes dy vendeve, raporton televizioni amerikan.
Ushtria pakistaneze ka konfirmuar më herët se kishte bombarduar gjatë natës pozicione indiane në Kashmirin që administrohet nga India si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore të forcave indiane në territorin e tij.
India e akuzoi Pakistanin për të shtëna të paprovokuara matanë vijës së Kontrollit, e cila është kufi de fakto që e ndan Kashmirin.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Pakistanit tha se e ka thërritur në takim të ngarkuarin me punë të Indisë në Islamabad – që është shef i misionit diplomatik në vend – që në mënyrë formale të protestojë për sulmet e Indisë në Pakistan dhe në pjesën e Kashmirit që administrohet nga Pakistani.
“Pakistani në mënyrë të vendosur i kundërshtoi justifikimet e pabaza të Indisë për sjelljen e saj armiqësore” – tha Ministria e Jashtme e Pakistanit.