Raportohet për shkëmbim të rëndë zjarri përgjatë kufirit Pakistan – Afganistan - NACIONALE

Raportohet për shkëmbim të rëndë zjarri përgjatë kufirit Pakistan – Afganistan

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Pakistani dhe Afganistani shkëmbyen zjarr të rëndë përgjatë kufirit të tyre të premten vonë, thanë zyrtarë nga të dyja këto vende, në kohën e tensioneve të ngritura pas bisedimeve të dështuara të paqes më herët këtë javë.

Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima, sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Zëdhënësi i talibanëve afganë, Zabihullah Mujahid, tha se forcat pakistaneze kryen sulme në distriktin Spin Boldak të provincës së Kandaharit.

Në anën tjetër, një zëdhënës i kryeministrit pakistanez, Shehbaz Sharif, i akuzoi forcat afgane për “të shtëna të paprovokuara” përgjatë kufirit afër qytetit Chaman.

“Pakistani mbetet plotësisht syçelë dhe i përkushtuar ndaj garantimit të integritetit të vet territorial dhe sigurisë së qytetarëve tanë” – tha në një deklaratë zëdhënësi Mosharraf Zaidi, transmeton gazeta "Nacionale".

Shkëmbimi i zjarrit vjen dy ditë pasi një rund i ri i bisedimeve të paqes mes dy vendeve fqinje përfundoi pa ndonjë marrëveshje, edhe pse të dyja palët u pajtuan që ta vazhdonin armëpushimin e brishtë.

Bisedimet në Arabinë Saudite fundjavën e kaluar ishin më të rejat në një varg takimesh të organizuara nga Katari, Turqia e Arabia Saudite me qëllim të uljes së tensioneve pas përleshjeve kufitare vdekjeprurëse në tetor.

Në zemër të mosmarrëveshjes është akuza e Pakistanit se militantë me bazë në Afganistan i kanë kryer sulmet e fundit në Pakistan, përfshirë disa sulme vetëvrasëse ku kishte të përfshirë shtetas afganë. Kabuli e mohon këtë akuzë, duke thënë se nuk mund të mbahet përgjegjës për sigurinë brenda Pakistanit.

Dhjetëra njerëz u vranë në përleshjet e tetorit, të cilat e paraqitën dhunën më të rëndë në zonën kufitare që nga rikthimi i talibanëve në pushtet në Afganistan më 2021.

Lajme të ngjashme