Raportohet për së paku 60 të vrarë nga sulmi izraelit në Beit Lahiya të Gazës - NACIONALE

Raportohet për së paku 60 të vrarë nga sulmi izraelit në Beit Lahiya të Gazës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të paktën 60 palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga një sulm izraelit ndaj një ndërtese banimi të martën në qytezën veriore të Gazës, Beit Lahiya, tha Ministria e Shëndetësisë në enklavën palestineze.

Marwan Al-Hams, zyrtar në këtë ministri, tha se 17 njerëz të tjerë janë zhdukur dhe do të llogariten si të vdekur, ndërsa 150 persona janë plagosur. Mjekët thanë se në mesin e të vdekurve ishin 20 fëmijë, raporton agjencia “Reuters”.

Më vonë të martën, Ismail Al-Thawabta, drejtor i zyrës mediale qeveritare, raportoi për 93 viktima.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Izraeli. Ushtria izraelite shpesh i ka vënë në dyshim shifrat e të vdekurve që publikohen nga zyra mediale e Hamasit, duke thënë se ato jo rrallë janë të ekzagjeruara.

Në pamje të siguruara nga agjencia “Reuters” shiheshin disa trupa të mbështjellë me batanije në tokë, pranë një ndërtese katërkatëshe të bombarduar. Më shumë trupa e të mbijetuar po tërhiqeshin nga rrënojat, ndërsa banorët nxitonin për të ofruar ndihmë.

“Janë dhjetëra martirë – dhjetëra njerëz të zhvendosur ishin duke jetuar në këtë shtëpi. Shtëpia u bombardua pa paralajmërim paraprak. Siç mund të shihni, martirët janë këtu e atje, me pjesë trupash të varura në mure” – tha Ismail Ouaida, dëshmitar që po jepte ndihmë për nxjerrjen e trupave.

Të hënën, Shërbimi Emergjent Civil Palestinez tha se rreth 100 mijë njerëz ishin të izoluar në Jabalia, Beit Lahiya dhe Beit Hanoun, pa furnizime ushqimore ose mjekësore. Agjencia “Reuters” nuk ka mundur ta vërtetojë shifrën në mënyrë të pavarur.

Ministria e Shëndetësisë tha të martën se të plagosurit nga sulmi nuk mund të merrnin kujdes mjekësor, pasi mjekët ishin detyruar që të evakuoheshin nga spitali “Kamal Adwan”./Nacionale

Lajme të ngjashme