Raportohet për së paku 37 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza - NACIONALE

Raportohet për së paku 37 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të paktën 37 palestinezë raportohet të jenë vrarë të mërkurën nga sulmet izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës, sipas burimeve mjekësore.

Në këtë numër përfshihen 24 njerëz që u vranë në Qytetin Gaza, ku forcat izraelite kanë nisur një sulm tokësor e ajror të kritikuar gjerësisht, raporton televizioni “Al Jazeera”.

Hamdy Abu Tabq, palestinez i moshuar, tha se detyrimi për të udhëtuar në Al-Maëasi do të jetë hera e shtatë që ai po zhvendoset gjatë luftës në Gaza.

Ai i tha televizionit se fillimisht kishte ardhur nga Jabalia, e cila ndodhet në veri të Gazës, por tani po detyrohet që të largohet nga Qyteti Gaza për shkak të përkeqësimit të sulmeve izraelite.

“Jemi nën bombardime të vazhdueshme dhe vrasje të fëmijëve. Dje u vranë më shumë se 130 njerëz. Jemi të frikësuar e të tmerruar. Nuk mund të flemë natën” – tha i moshuari.

“Unë jam burrë 63-vjeçar. Jam shumë i brengosur për fëmijët, nipat e mbesat e mia. Në shpinë kam vetëm një batanije. Nuk mund t’i lëvizja të gjitha mobiliet duke u zhvendosur për gati 25 kilometra nga veriu në jug. Kjo do të më kushtonte 1 mijë dollarë – krejt çka kam janë 100 dollarë, prandaj m’u desh të lija krejt çfarë kisha”- shtoi ai.

Abu Tabq i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë dhe t’i japë fund konfliktit, të cilin e quajti “luftë kundër popullit, kundër fëmijëve, kundër grave”./Nacionale

Lajme të ngjashme