Raportohet për progres në bisedimet për Gazën, 17 vriten nga sulmet izraelite - NACIONALE

Raportohet për progres në bisedimet për Gazën, 17 vriten nga sulmet izraelite

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ndërmjetësit amerikanë dhe arabë kanë bërë ca progres në përpjekjet e tyre për të arritur një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, por jo mjaftueshëm për ta vulosur atë, thanë të enjten disa burime palestineze të afërta me bisedimet.

Përderisa bisedimet vazhduan në Katar, ushtria izraelite kreu sulme ajrore në pjesë të ndryshme të enklavës, duke vrarë të paktën 17 persona, thanë mjekët palestinezë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Katari, Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti janë duke bërë një shtytje domethënëse për të arritur marrëveshje për ndaljen e konfliktit 15-mujor dhe për t’i liruar pengjet që po mbahen në Gaza para largimit nga pushteti të presidentit amerikan, Joe Biden.

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të jetë “ferri për t’u paguar”, nëse pengjet nuk lirohen para inaugurimit të tij në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

Të enjten, një zyrtar palestinez i afërt me përpjekjet e ndërmjetësimit tha se mungesa e një marrëveshjeje deri më tani nuk nënkupton që bisedimet nuk po shkojnë askund dhe se kjo është përpjekja më serioze deri më tani për arritjen e një pakti.

“Ka diskutime të gjera, ndërmjetësit dhe negociatorët janë duke folur për secilën fjalë dhe secilën hollësi. Është një hap i rëndësishëm, kur bëhet fjalë për ngushtimin e dallimeve të vjetra ekzistuese, por nuk ka ende marrëveshje” – i tha ai agjencisë “Reuters”, pa dhënë hollësi të mëtejme./Nacionale

Lajme të ngjashme