Raportohet për “progres domethënës” në bisedimet ShBA – Iran, vazhdojnë javën e ardhshme - NACIONALE

Raportohet për “progres domethënës” në bisedimet ShBA – Iran, vazhdojnë javën e ardhshme

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit shënuan “progres domethënës” të enjten në Gjenevë dhe diskutimet teknike për programin bërthamor të Iranit janë caktuar për t’u mbajtur javën e ardhshme në Vjenë, tha ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi.

Kryediplomati që është duke i ndërmjetësuar bisedimet tha në një shkrim në rrjetin X se ato “do të vazhdojnë së shpejti pas konsultimeve në kryeqytetet përkatëse”, raporton televizioni CNN.

“Diskutimet në nivel teknik do të ndodhin javën e ardhshme në Vjenë” – shtoi Abusaidi.

Më tej, ai tha se është “mirënjohës ndaj të gjithë të përfshirëve për përpjekjet e tyre: negociatorët, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore dhe nikoqirët tanë, Qeveria e Zvicrës”.

Ndërkohë, sipas mediave shtetërore ruse, përfaqësues amerikanë në Gjenevë kanë zhvilluar diskutime edhe me kryenegociatorin rus, Kirill Dmitriev.

Agjencitë e lajmeve RIA dhe TASS nuk treguan se me kë u takua Dmitrievi, por në qytetin zviceran ndodhen emisari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, të cilët pritet të mbajnë bisedime dypalëshe me një delegacion ukrainas për “pakon e mirëqenies”, e cila lidhet me rindërtimin e Ukrainës.

Dmitrievi u largua nga hoteli ku “pati bisedime me palën amerikane” të enjten në mbrëmje, raportoi agjencia ruse e lajmeve, “RIA Novosti”.

Të mërkurën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se rundi i ardhshëm i bisedimeve trepalëshe nuk pritet të mbahet para fillimit të marsit./Nacionale

Lajme të ngjashme