Raportohet për mbi 60 të vrarë në Gaza nga bombardimet izraelite - NACIONALE

Raportohet për mbi 60 të vrarë në Gaza nga bombardimet izraelite

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat izraelite vranë të paktën 60 palestinezë përmes bombardimeve ajrore e tokësore në Rripin e Gazës të enjten dhe zhvilluan luftime për së afërmi me militantë të udhëhequr nga Hamasi në zonat e qytetin jugor, Rafah, thanë zyrtarë shëndetësorë dhe media të Hamasit.

Tanket izraelite avancuan në juglindje të Rafahut, u afruan drejt distriktit perëndimor të këtij qyteti, Yibna, dhe vazhduan që të operonin në tri pjesë periferike lindore, thanë banorët, raporton agjencia “Reuters”.

“Pushtimi [forcat izraelite] po mundohet që të lëvizë më tej në perëndim, ata janë në skajin e Yibna-s, që është e populluar në masë të dendur. Ata nuk e pushtuan atë ende” – tha një banor, duke kërkuar që të mos i publikohej emri.

“Ne dëgjojmë shpërthime dhe shohim tym të zi duke dalë nga zonat ku ushtria ka depërtuar. Ishte një natë tjetër shumë e vështirë” – shtoi banori i Rafahut.

Sulmet e njëhershme izraelite ndaj skajeve veriore e jugore të Gazës këtë muaj kanë shkaktuar një eksod të ri të qindra mijëra palestinezëve që janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe kanë shkaktuar bllokim të rrugëve kryesore për qasje në ndihma, duke e shtuar rrezikun për vdekje nga uria.

Izraeli thotë se nuk ka zgjedhje tjetër, pos ta sulmojë Rafahun për t’i çrrënjosur batalionet e fundit të luftëtarëve të Hamasit që beson se janë duke u strehuar atje.

“Hamasi është në Rafah, Hamasi ka qenë duke i mbajtur pengjet tona në Rafah, për këtë arsye forcat tona po manovrojnë në Rafah. Po e bëjmë këtë në mënyrë të shënjestruar dhe precize” – tha të enjten në një deklaratë zëdhënësi kryesor i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

Sipas tij, forcat izraelite deri më tani kanë vrarë rreth 180 militantë në Rafah.

Agjencia e OKB-së për refugjatë palestinezë, UNRWA, vlerësoi se deri të hënën më shumë se 800 mijë njerëz ishin larguar nga Rafahu që nga koha kur Izraeli nisi që ta vinte në shënjestër këtë qytet, në fillim të majit, pavarësisht nga thirrjet ndërkombëtare për përmbajtje.

Lajme të ngjashme