Raportohet për mbi 40 të vrarë gjatë sulmeve të fundjavës në Nigeri
Të paktën 42 njerëz u qëlluan për vdekje nga disa barinj të dyshimtë në një varg sulmesh të fundjavës në distriktin Gwer West, në shtetin qendror nigerian Benue, tha të martën një zyrtar lokal.
Tridhjetë e dy trupa u tërhoqën nga sulmet e së dielës në fshatrat Ahume dhe Aondona, ndërsa dhjetë të tjerë u vranë në një sulm tjetër në fshatrat Tyolaha dhe Tse-Ubiam të shtunën, tha Victor Omnin, udhëheqës i qeverisë lokale në distriktin Gwer West, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Është një situatë patetike. Përderisa po flasim, ende jemi duke tërhequr kufoma” – u tha Omnini gazetarëve.
Benue shtrihet në Rripin e Mesit të Nigerisë, rajon ku takohen veriu me shumicë myslimane me jugun me popullsi kryesisht katolike. Në rajon ka konkurrencë për shfrytëzimin e tokave, me konflikte mes barinjve, të cilët kërkojnë kullosa për bagëtinë e tyre, dhe bujqve, të cilët kanë nevojë për tokë të punueshme për ta kultivuar. Tensionet përkeqësohen shpesh nga përçarjet etnike e fetare.
Zyra e guvernatorit në Benue, Hyacinth Iormem Alia, tha se edhe një prift katolik u qëllua me armë nga sulmuesit në atë zonë. Ai është në gjendje kritike, por stabile.