Raportohet për dhjetëra të vrarë nga sulmet izraelite në veri e jug të Gazës - NACIONALE

Raportohet për dhjetëra të vrarë nga sulmet izraelite në veri e jug të Gazës

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Sulmet ajrore izraelite lanë të vrarë dhjetëra palestinezë në dy skajet e Gazës gjatë natës së kaluar, duke i goditur zonën përreth spitalit “Al Shifa” në veri dhe qytetin Rafah në jug, ku më shumë se një milion njerëz kanë kërkuar strehim, raporton agjencia “Reuters”.

Në veri, ku luftimet intensive janë zhvilluar për më shumë se një javë përreth spitalit “Al Shifa”, anëtarët e familjes Haseera i thanë agjencisë “Reuters” se dhjetëra njerëz ishin vrarë nga një sulm që shkatërroi një kompleks të familjes afër spitalit më të madh të Gazës.

“Një masakër e re kundër familjeve Abu Suhail Abu Haseera, fëmijëve dhe nipave e mbesave të tij, gjithsej me rreth 30 njerëz” – tha anëtari i familjes, Abu Ali Abu Haseera, në një porosi telefonike për agjencinë “Reuters”.

Gazetarët e kësaj agjencie nuk arritën që të hynin në zonën përreth spitalit “Al Shifa”, të cilin forcat izraelite e sulmuan më 18 mars. Izraeli thotë se ka vrarë dhe ka arrestuar qindra luftëtarë të Hamasit që po e përdornin spitalin si bazë. Në anën tjetër, Hamasi dhe stafi mjekësor mohojnë se kishte luftëtarë të pranishëm dhe thonë se civilët ishin rrethuar.

Në jug, ku më shumë se gjysma e popullsisë prej 2,3 milionë njerëzish po strehohen në Rafah, afër rrethojës kufitare me Egjiptin, autoritetet shëndetësore thanë se 18 persona, përfshirë tetë fëmijë, u vranë nga një sulm në shtëpinë e familjes Abu Nqaira.

Batanijet dhe rrobat e fëmijëve ishin shpërndarë mes rrënojash të martën në mëngjes, ku të afërmit po kërkonin që të gjenin ndonjë objekt të vlefshëm. Jashtë, një shtyllë betoni kishte shtypur një veturë të bërë shkrumb. Të afërmit vajtonin pranë kufomave të shtrira në morgun e një spitali.

Izraeli thotë se planifikon një ofensivë tokësore në Rafah, ku beson se shumica e luftëtarëve të Hamasit tani janë duke u strehuar. Aleatja më e ngushtë e Izraelit, ShBA-ja, kundërshton një sulm të tillë, duke argumentuar se ai do t’u shkaktonte shumë dëm civilëve që janë munduar të gjejnë strehim atje.

Në qytetin Khan Younis, gjithashtu në jug, rrethimi me tanke përreth dy spitaleve të tjera vazhdoi për ditën e tretë.

Autoritetet shëndetësore në enklavën e qeverisur nga Hamasi thonë se të paktën 32 mijë e 333 palestinezë janë konfirmuar të vrarë, ndërsa 74 mijë e 694 të lënduar nga ofensiva izraelite, përfshirë 107 palestinezë të vrarë gjatë 24 orëve të fundit. Ka frikë se mijëra njerëz të tjerë janë të vdekur e të pagjetur nën rrënoja.

Lajme të ngjashme