Raportohet për 47 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza
Dyzet e shtatë palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u lënduan, shumica fëmijë e gra, gjatë bombardimeve izraelite natën e kaluar në pjesën qendrore të Gazës, raportoi të premten agjencia palestineze e lajmeve, ËAFA.
Sipas kësaj agjencie, sulmet ndodhën në qytetin Deir Al-Balah, në kampin “Nuseirat” dhe në qytezën Al-Zawayda, përcjell agjencia “Reuters”.
Ushtria izraelite tha se trupat e saj kishin identifikuar dhe eliminuar “disa terroristë të armatosur” në pjesën qendrore të Gazës dhe se kishte eliminuar “dhjetëra terroristë” gjatë bastisjeve me shënjestra në zonën veriore të Gazës, Jabalia.
Të paktën 46 palestinezë u vranë nga sulmet ushtarake izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës të enjten, shumica në veri, ku një spital u godit nga një sulm, duke shkaktuar djegie të furnizimeve mjekësore dhe duke i penguar operacionet, thanë zyrtarët shëndetësorë të enklavës.
Ushtria izraelite e ka akuzuar grupin militant palestinez, Hamas, për shfrytëzim të spitalit “Kamal Adwan” në Beit Lahiya për qëllime ushtarake dhe tha se “dhjetëra terroristë” kanë qenë duke u fshehur aty. Zyrtarët shëndetësorë dhe Hamasi e mohojnë këtë.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza u bëri thirrje të gjitha organeve ndërkombëtare “që t’i mbrojnë spitalet dhe stafin mjekësor nga brutaliteti i pushtimit [izraelit]”.