Raportohet për 14 të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Siri
Një varg sulmesh izraelite raportohet të kenë goditur disa zonë në pjesën qendrore të Sirisë të dielën, duke shkaktuar edhe viktima.
Mediat shtetërore siriane thanë të hënën se nga sulmet e natës së kaluar u vranë të paktën 14 persona në provincën qendrore Hama, pasi më herët ishte raportuar paraprakisht për shtatë të vrarë, raporton gazeta “The Guardian”.
Dy burime rajonale të inteligjencës i thanë agjencisë “Reuters” se një qendër e rëndësishme ushtarake për hulutime rreth prodhimit të armëve kimike, që ndodhet afër qytetit Masyaf, ishte goditur disa herë. Besohej se aty po strehohej një ekip i ekspertëve ushtarakë iranianë të përfshirë në prodhimin e armëve.
“Numri i martirëve që ka rezultuar nga agresioni izraelit ndaj një numri të vendeve në afërsi të Masyafit është rritur në 14 martirë e 43 të plagosur, përfshirë gjashtë në mënyrë kritike” – raportoi agjencia zyrtare e lajmeve, “Sana”, duke cituar një burim mjekësor. Këto shifra nuk janë vërtetuar ende në mënyrë të pavarur nga gazeta “The Guardian”.
“Rreth orës 23:20 të dielën në mbrëmje, armiku izraelit nisi një agresion ajror nga drejtimi i veriperëndimit të Libanit, duke vënë në shënjestër një numër të zonave ushtarake në rajonin qendror [të Sirisë]” – i tha një burim ushtarak agjencisë shtetërore të lajmeve.
“Sistemet tona të mbrojtjes ajrore i konfrontuan raketat e agresionit dhe rrëzuan disa prej tyre” – shtoi burimi, pa dhënë hollësi të tjera.
Raportohet se në shënjestër të sulmeve në Siri ishin disa zona afër qyteteve Homs, Hama dhe Tartus.