Raportohet për 12 të vrarë në Ukrainë – Rusia pretendon se kapi edhe tri fshatra - NACIONALE

Raportohet për 12 të vrarë në Ukrainë – Rusia pretendon se kapi edhe tri fshatra

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmet ruse nëpër rajone të Ukrainës lanë të vrarë të paktën 12 civilë dhe u shkaktuan lëndime së paku gjashtë të tjerëve gjatë 24 orëve të kaluara, raportuan të premten autoritetet rajonale.

Rusia kreu 160 sulme me dronë të tipit “Shahed” dhe me dronë mashtrues kundër Ukrainës gjatë natës së kaluar, tha Forca Ajrore e Ukrainës. Prej tyre, 87 dronë u rrëzuan, ndërsa 70 të tjerë humbën pa shkaktuar dëme, sipas një deklarate, raporton mediumi “Kyiv Independent”.

Raportohet se forcat ruse gjithashtu hodhën dy raketa balistike të tipit “Iskander” drejt rajonit Odesa, sipas Forcës Ajrore, e cila nuk dha hollësi rreth pasojave të mundshme.

Të premten, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj e kishin marrë kontrollin në fshatrat Nadiivka, Novosilka dhe Novoocheretuvate në rajonin Donetks, në pjesën lindore të Ukrainës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”, e cila thotë se nuk ka mundur ta vërtetojë në mënyrë të pavarur avancimin e pretenduar nga rusët.

Edhe në kohën kur ka filluar të bëhet pjesë e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara për përfundimin e luftës, Rusia vazhdon të shënojë fitore të vogla por të vazhdueshme në Donetsk, rajon shumë urban dhe industrial, pjesë të të cilit kanë qenë nën kontrollin e grupeve të përkrahura nga Rusia që nga viti 2014.

Në shtatorin e vitit 2022, Rusia deklaroi se i kishte inkorporuaruar Donetskun dhe tri rajone të tjera ukrainase si pjesë të territorit të saj, edhe pse forcat ruse nuk i kishin plotësisht nën kontroll ato. Ky veprim ishte cilësuar si i paligjshëm nga shumica e shteteve anëtare të OKB-së./Nacionale

Lajme të ngjashme