Raportohet për 10 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza - NACIONALE

Raportohet për 10 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmet ajrore izraelite lanë të paktën dhjetë palestinezë të vrarë në Gaza të hënën, i thanë mjekët agjencisë “Reuters”.

Shtatë njerëz u vranë nga një sulm ndaj dy shtëpive në qytezën veriore të Rripit të Gazës, Beit Lahiya, ndërsa tre të tjerë nga një sulm ndaj një shtëpie në kampin “Nuseirat”, në pjesën qendrore të enklavës, sipas mjekëve, raporton agjencia “Reuters”.

Mjekët thanë se, përpos të vrarëve, disa njerëz të tjerë u plagosën nga të dyja sulmet, duke shtuar se forcat izraelite kishin dërguar tanke në verilindje të kampit “Nuseirat” më herët të hënën.

Izraeli dislokoi tanke në Jabalia, Beit Hanoun dhe Beit Lahiya më 5 tetor, duke thënë se synonte që ta parandalonte rigrupimin e Hamasit.

Palestinezët thanë se ofensivat e reja ajrore e tokësore si dhe evakuimet e detyrueshme janë “spastrim etnik” me qëllim të boshatisjes së dy qytezave veriore të Gazës dhe një kampi refugjatësh nga popullsia e tyre për të krijuar zona neutrale. Izraeli e mohon këtë, duke thënë se është duke luftuar kundër militantëve të Hamasit që nisin sulme nga ato zona.

Sipas zyrës mediave të Qeverisë së udhëhequr nga Hamasi në Gaza, numri i palestinezëve të vrarë nga 5 tetori i këtij viti është 1.800, ndërsa katër mijë të tjerë janë plagosur.

Nuk pati konfirmim të menjëhershëm të shifrës nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa Izraeli në mënyrë të përsëritur e ka akuzuar zyrën mediale të Hamasit për zmadhim të numrave të të vdekurve.

Izraeli thotë se forcat e tij kanë vrarë qindra të armatosur palestinezë dhe kanë çmontuar infrastrukturë ushtarake në Jabalia gjatë muajit të fundit.

Sipas autoriteteve në Gaza, ofensivat hakmarrëse të Izraelit deri më tani në luftë kanë lënë të vrarë mbi 43.300 palestinezë, pasi militantë të udhëhequr nga Hamasi fillimisht e sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 njerëz e duke marrë peng 251 të tjerë, sipas shifrave të paraqitura nga autoritetet izraelite./Nacionale

Lajme të ngjashme