Raporti për Epstein-in, Shtëpia e Bardhë s’e merr në aeroplanin e Trumpit reporterin e WSJ-së
Kur Shtëpia e Bardhë e mori kontrollin e grupit të gazetarëve që e shoqërojnë presidentin, reporterët ishin të brengosur se administrata e Donald Trumpit do ta shfrytëzonte këtë fuqi për t’i ndëshkuar mediat.
Së pari ishte agjencia e lajmeve “Associated Press”, tani është gazeta “The Wall Street Journal”, raporton televizioni CNN.
Të hënën, Shtëpia e Bardhë tha se do ta largojë këtë gazetë nga grupi i ulëseve të lakmuara nga gazetarët në aeroplanin zyrtar të presidentit Trump gjatë udhëtimit të tij për në Skoci.
Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se ndryshimi u bë “për shkak të sjelljes së rreme dhe diskredituese të gazetës The Wall Street Journal”, referencë ndaj një artikulli të botuar rishtazi për Trumpin dhe Jeffrey Epstein-in.
Në artikullin e datës 17 korrik përshkruhet një koleksion i letrave që i ishin dhënë Epstein-it për ditëlindjen e tij të 50-të më 2003, përfshirë një shkrim ku ishte emri i Trumpit dhe një vizatim i një gruaje të zhveshur. Trumpi dorëzoi padi të nesërmen, duke pretenduar se ishte diskredituar, “sepse nuk ekziston asnjë letër ose vizatim autentik”.
Tani Shtëpia e Bardhë po përdor një vegël që e ka në dispozicion – kontrollin e qasjes te Trumpi – për t’u hakmarrë kundër gazetës që është në pronësi të Rupert Murdoch-it.
Një reporter i gazetës “The Wall Street Journal”, i cili nuk ishte i përfshirë në artikullin për letrat dërguar Epstein-it për ditëlindje, pritej të ishte pjesë e grupit të gazetarëve që do të udhëtojnë me Trumpin në fushat e tij të golfit në Skoci.
Deri më herët këtë vit, caktimi i gazetarëve në grupin që udhëtonte me presidentin bëhej nga Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, grup i pavarur që i përfaqëson kompanitë mediale. Megjithatë, në shkurt, zonja Leavitt e mori kontrollin e grupit, duke i siguruar administratës një levë të re./Nacionale