Raport: Kompanitë ushqimore shesin produkte më pak të shëndetshme në shtetet e varfra
Kompanitë më të mëdha të ushqimit dhe pijeve në botë mesatarisht shesin produkte më pak të shëndetshme në shtete me të ardhura të ulëta se ato që i shesin në vende me të ardhura të larta, sipas një raporti të ri.
Produktet e shitura nga kompanitë si “Nestle”, “Pepsico” dhe “Unilever” u vlerësuan si pjesë e një indeksi global të publikuar nga Nisma për Qasje në Ushqyerje (ATNI), i pari nga viti 2021, raporton agjencia “Reuters”.
Grupi jofitimprurës zbuloi se në mesin e 30 kompanive, produktet e shitura në shtete me të ardhura të ulëta dolën më dobët në një sistem vlerësues me yje, që është zhvilluar në Australi dhe Zelandë të Re, se ato që shiten në shtete me të ardhura të larta.
Në sistemin “Vlerësimi Shëndetësor me Yje”, produktet vlerësohen me nota nga 1 deri në 5 sa i përket ndikimit në shëndetin e njeriut. Nota 5 është më e mira, ndërsa niveli mbi 3,5 vlerësohet si zgjedhje më e shëndetshme.
Në shtetet me të ardhura të ulëta, portofolat shumëkombësh dolën me notë 1,8 në sistem. Në shtetet me të ardhura të larta, ku u testuan më shumë produkte, ato u vlerësuan me notë 2,3.
“Është një pamje shumë e qartë që ato që po e shesin këto kompani në shtetet më të varfra në botë, ku ato janë gjithnjë më aktive, nuk janë produkte të shëndetshme” – tha Mark Wijne, drejtor për hulumtime në ATNI.
“Është thirrje për t’u zgjuar për qeveritë në këto shtete që ato të jenë vigjilente” – shtoi ai.
ATNI-ja tha se ky indeks është i rëndësishëm, pasi ushqimet e paketuara po luajnë gjithnjë më shumë rol në krizën e obezitetit, që tani është dukuri globale. Më shumë se një miliard njerëz në mbarë botën jetojnë me obezitet, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Banka Botërore vlerëson se 70 për qind e njerëzve me mbipeshë ose obezë jetojnë në shtete me të ardhura të ulëta ose të mesme./Nacionale