Raisi thotë se Irani s’do të nisë luftë, por do t’u kundërpërgjigjej fuqishëm ngacmuesve
Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, tha të premten se vendi i tij nuk do të nisë ndonjë luftë, por do t’u kundërpërgjigjej fuqishëm” kujtdo që do të mundohej ta ngacmonte atë. Komentet e tij vijnë një ditë pas njoftimit të ShBA-së për planifikim të sulmeve ndaj caqeve iraniane në Irak e Siri.
“Ne nuk do të nisim asnjë luftë, por nëse ndokush dëshiron që të na ngacmojë, ata do të marrin një kundërpërgjigje të fuqishme” –tha presidenti iranian në një fjalim të transmetuar në televizion, raporton agjencia “Reuters”.
“Më parë, kur ata (amerikanët) donin të flisnin me ne, ata thoshin se opsioni ushtarak është në tavolinë. Tani thonë se nuk kanë për qëllim një konflikt me Iranin” – shtoi Raisi.
“Fuqia ushtarake e Republikës Islamike në rajon nuk është dhe nuk ka qenë kurrë kërcënim për asnjë shtet. Në vend të kësaj, ajo e garanton sigurinë në të cilën shtetet e rajonit mund të mbështeten e të besojnë” – tha më tej presidenti iranian.
Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se droni me të cilin para disa ditëve u vranë tre ushtarë amerikanë e u plagosën mbi 40 të tjerë në Jordani ishte prodhuar nga Irani, sipas katër zyrtarëve amerikanë.
Sipas burimeve, Rojat Revolucionare të Iranit janë duke tërhequr oficerë të lartë nga Siria.
Këshilltarët iranianë u asistojnë grupeve të armatosura në Irak, ku ShBA-ja ka rreth 2.500 ushtarë, dhe në Siri, ku ndodhen rreth 900 trupa amerikane.
Këtë javë ka pasur shumë spekulime për mënyrën se si Uashingtoni mund të hakmerret pas vrasjes së ushtarëve në bazën e tyre në Jordani nga një grup i përkrahur nga Irani.
Televizioni amerikan “CBS News”, duke cituar zyrtarë të ShBA-së, raportoi të enjten se Shtetet e Bashkuara kishin miratuar plane për sulme që do të zgjasin disa ditë në Irak e Siri kundër shumë caqeve, përfshirë personelin dhe objeketet iraniane në këto shtete.