Qyteti rus Tuapse mbyll shkollat dhe ndalon ujin e çezmës pas sulmit ukrainas në rafineri
Banorët e qytetit bregdetar rus, Tuapse, u urdhëruan që të mos pinin ujë çezme dhe shkollat mbetën të mbyllura të enjten, përderisa autoritetet po ballafaqohen me pasojat e sulmit të tretë ukrainas ndaj rafinerisë së naftës në qytet këtë muaj.
Zona ka qenë nën situatë të jashtëzakonshme nga e marta, kur sulmi shkaktoi një zjarr të madh në rafineri, duke e zvogëluar prodhimin dhe duke shkaktuar rrjedhje nafte në ujin e Detit të Zi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zjarri u shua të enjten në mëngjes, tha guvernatori lokal, por plazhi i ndotur me naftë dhe ajri i ndotur nga tymi tregojnë se sa të rënda mund të jenë pasojat nga sulmet e Ukrainës ndaj objekteve energjetike ruse.
Punëtorë të emergjencave u dislokuan të enjten për të pastruar pjesë të prekura rishtazi nga nafta në bregdet, tha task-forca rajonale.
Pas sulmit, autoriteti për sigurinë e konsumatorëve i këshilloi banorët që ta kufizonin kohën e kaluar në mjedis të hapur dhe t’i mbanin dritaret të mbyllura për shkak të nivelit të ngritur të benzenit në ajër.
Të enjten, autoriteti lokal i shëndetësisë tha se banorët duhet të konsumojnë vetëm ujë të ambalazhuar dhe ta shmangin pirjen e ujit të çezmës dhe të puseve natyrore si masë kujdesi paraprak. Autoritetet gjithashtu i kanë anuluar organizimet për festat e majit.
Këto masa i nxitën disa banorë që të shprehnin shqetësime në internet dhe t’i vinin në pikëpyetje garancitë nga autoritetet se situata është nën kontroll./Nacionale