Qyteti Gaza do të shkatërrohet, nëse Hamasi s’pajtohet me kushtet e Izraelit, thotë Katzi
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se Qyteti Gaza do të shkatërrohet, nëse Hamasi nuk pajtohet për t’u çarmatosur dhe për t’i liruar të gjitha pengjet.
Komentet e tij erdhën pasi kabineti izraelit i miratoi planet për një ofensivë të re në Qytetin Gaza pavarësisht nga kundërshtimet e shumta brenda e jashtë vendit, raporton televizioni BBC.
Duke shkruar në rrjetin X, Katzi tha: “Së shpejti, portat e ferrit do të hapen mbi kokat e vrasësve dhe përdhunuesve të Hamasit në Gaza – derisa ata të pajtohen me kushtet e Izraelit për përfundimin e luftës, në rend të parë lirimi i të gjitha pengjeve dhe çarmatosja.”
“Nëse ata nuk pajtohen, Gaza, kryeqyteti i Hamasit, do të bëhet Rafah dhe Beit Hanoun” – paralajmëroi ministri izraelit.
Të dyja këto qytete janë shkatërruar gjatë operacioneve ushtarake izraelite.
Në një video-deklaratë të publikuar të enjten mbrëma, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se ai i kishte miratuar planet e ushtrisë për marrjen nën kontroll të Qytetit Gaza dhe për “mposhtjen e Hamasit”.
Ai gjithashtu njoftoi se kishte “udhëzuar që menjëherë të fillojnë bisedimet për lirimin e të gjitha pengjeve tona” dhe për përfundimin e luftës në Gaza sipas kushteve “të pranueshme për Izraelin”./Nacionale