Qiproja në hall – sa njerëz, aq mace
Zyrtarët në shtetin ishullor në këndin lindor të Mesdheut vlerësojnë se ekziston nga një mace për secilin banor të vendit – edhe pse aktivistët pretendojnë se popullsia e vërtetë e këtyre kafshëve është për qindra mijëra më e lartë.
Në fund të shtatorit, Komisionit Parlamentar për Mjedisin iu tha se një program ekzistues i sterilizimit ishte tepër i kufizuar për ta frenuar popullsinë e maceve, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
“Është program i mirë, por ka nevojë që të zgjerohet” – tha Antonia Theodosiou, komisionere për mjedisin, duke theksuar se me këtë program kryhen vetëm 2 mijë sterilizime në vit me një buxhet prej vetëm 100 mijë eurosh.
Përderisa nuk ka të dhëna zyrtare krahasuese, Theodosiou tha se Qiproja ka fituar reputacion për popullsinë e maceve që është jashtëzakonisht e lartë në krahasim me numrin e njerëzve që banojnë në ishull.
Ministrja e Mjedisit, Maria Panayiotou, njoftoi më 4 tetor – Dita Botërore e Kafshëve – se Qeveria do ta rrisë fondin për sterilizimin e maceve, duke e çuar në 300 mijë euro në vit. Vendimi u vlerësua pozitivisht si hap domethënës.
Megjithatë, Charalambos Theopemptou, kryetar i Komisionit Parlamentar për Mjedisin, paralajmëroi që çështja të mos mbështetet vetëm te të hollat. “Duhet të ketë një plan. Nuk mundemi thjesht të vazhdojmë me sterilizimin pa pasur një plan” – tha ai.
Duke e marrë parasysh natyrën grabitqare të maceve, një popullsi e madhe jo vetëm që ka potencial për ta dëmtuar ekosistemin e ishullit, por do të mund të shkaktonte vuajtje të mëdha për macet që enden rrugëve të mbushura me vetura në kërkim të ushqimit dhe strehimit.
Duke e pasur turizmin nxitës kyç ekonomik, Qiproja me mace është bërë atraksion i rëndësishëm për miliona turistë që i kalojnë pushimet atje. Macet e ushqyera mirë shihen shpesh buzë restoranteve duke e ngrënë ushqimin e lënë nga njerëzit./Nacionale