Qiproja e fton Erdoganin në samit pavarësisht përplasjeve për pushtimin e 1974-ës - NACIONALE

Qiproja e fton Erdoganin në samit pavarësisht përplasjeve për pushtimin e 1974-ës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qiproja tha të hënën se do ta ftojë armiken e përbetuar, Turqinë, në një samit gjatë presidencës së bashkimit Evropian vitin e ardhshëm pavarësisht nga përplasja e vjetër me dekada për pushtimin turk të vitit 1974 dhe mbështetjen që Ankaraja ia ofron një shteti separatist në ishullin e ndarë.

Qiproja do ta mbajë presidencën e përkohshme gjashtëmujore të BE-së në pjesën e parë të vitit të ardhshëm dhe planifikon një samit të udhëheqësve rajonalë, përfshirë presidentin turk, Rexhep Erdogan, për të diskutuar rreth çështjeve të lidhura me Lindjen e Mesme, tha presidenti qipriot, Nikos Christodoulides, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Nuk mund të ndërrohet gjeografia – Turqia gjithmonë do të jetë shtet fqinj i Republikës së Qipros. Z. Erdogan natyrisht se do të jetë i mirëpritur në këtë samit për t’i diskutuar zhvillimet në rajon” – tha ai para gazetarëve në Nikozi.

Christodoulides më herët e kishte thënë të njëjtën gjë në një emision britanik të transmetuar të hënën si përgjigje ndaj një pyetjeje, duke thënë se samiti planifikohet të mbahet në prillin e vitit të ardhshëm.

Presidenca e Turqisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë “Reuters” për koment rreth ftesës për Erdoganin.

Qiproja dhe Turqia nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe pritja e presidentit turk mund të jetë sfiduese edhe për shkak të situatës së vështirë diplomatike që buron nga konflikti i kaluar, edhe për shkak të çështjeve logjistike.

Ishulli që ndodhet në pjesën lindore të Detit Mesdhe u nda nga pushtimi turk më 1974, i nxitur nga një puç i shkurtër i frymëzuar nga grekët, ndërsa Ankaraja mbështet një shtet separatist në pjesën veriore të ishullit, ku ka mijëra trupa.

Christodoulides drejton një administratë qipriote greke që e përfaqëson tërë Qipron brenda Bashkimit Evropian, por pushteti i saj ndalet te vija e armëpushimit që e ndan ishullin në pjesën jugore me atë veriore. Erdogani kurrë nuk e ka vizituar jugun./Nacionale

Lajme të ngjashme