Qindra trupa verikoreane janë vrarë në luftimet kundër Ukrainës, thotë Koreja e Jugut - NACIONALE

Qindra trupa verikoreane janë vrarë në luftimet kundër Ukrainës, thotë Koreja e Jugut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rreth 600 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë gjatë luftimeve krahas forcave ruse kundër Ukrainës, nga një dislokimi i përgjithshëm prej 15 mijë trupash, thanë të mërkurën ligjvënësit koreanojugorë, duke e cituar agjencinë e inteligjencës të Seulit.

Koreja e Veriut ka pësuar rreth 4.700 viktima deri më tani, përfshirë të vdekurit dhe të lënduarit, edhe pse trupat e saj kanë shfaqur shenja të kapaciteteve të përmirësuara luftarake gjatë rreth gjashtë muajve duke përdorur armë moderne si dronët, thanë më tej ligjvënësit e Koresë së Jugut, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në këmbim të dislokimit të trupave dhe furnizimit të Rusisë me armë, Koreja e Veriut duket se ka marrë asistencë teknike rreth satelitëve spiunë, si dhe për dronë e raketa kundërajrore, sipas deputetëve koreanojugorë.

“Pas gjashtë muajve pjesëmarrje në luftë, ushtria verikoreane është bërë më pak e paaftë dhe kapaciteti i saj luftarak është përmirësuar në masë domethënëse, përderisa po mësohet me përdorimin e armëve të reja si dronët” – tha para gazetarëve Lee Seong-kweun, anëtar i Komisionit Parlamentar për Inteligjencë, pasi u njoftua nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës i Koresë së Jugut.

Koreja e Veriut më herët këtë javë konfirmoi për herë të parë se ka dërguar trupa për të luftuar për Rusinë e kundër Ukrainës sipas urdhrit të udhëheqësit Kim Jong Un dhe se kishte dhënë ndihmë për rimarrjen e kontrollit të territorit rus që ishte pushtuar nga forcat ukrainase.

Ligjvënësi koreanojugor shtoi se trupat e ushtarëve koreanoveriorë janë djegur në Kursk para se të dërgoheshin në atdhe.

Besohet se Penjani ka dërguar edhe rreth 15 mijë punëtorë në Rusi, thanë ligjvënësit koreanojugorë, duke i cituar vlerësimet e agjencisë së inteligjencës./Nacionale

Lajme të ngjashme