Qindra britanikë po kërkojnë partnerë për të kryer vetëvrasje bashkë - NACIONALE

Qindra britanikë po kërkojnë partnerë për të kryer vetëvrasje bashkë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 700 persona në Mbretëri të Bashkuar janë paraqitur në një uebfaqe pro vetëvrasjeve, duke kërkuar një partner për ta kryer këtë akt së bashku, sipas një hulumtimi të televizionit BBC.

Kjo uebfaqe, emrin e së cilës televizioni nuk e tregoi, ka një sektor vetëm për anëtarët e saj, ku përdoruesit mund të kërkojnë një partner ose partnere për vetëvrasje, raporton transmetuesi publik britanik.

Sipas hulumtimit, grabitqarët e kanë shfrytëzuar këtë uebfaqe për të vënë në shënjestër gra të cenueshme.

Në dhjetor të vitit 2019, djali 28-vjeçar i Angela Stevens-it, Brett-i, kishte udhëtuar nga shtëpia e tij në pjesën qendrore të Anglisë për në Skoci për t’u takuar me një grua me të cilën kishte kontaktuar në uebfaqen e hulumtuar.

Të dy kishin marrë një banesë me qira dhe kishin kryer vetëvrasje së bashku.

“Më mungon gjithçka rreth Brett-it, buzëqeshja e tij, e qeshura e tij ngjitëse” – tha nëna e pikëlluar.

Që nga vdekja e të birit, ajo ka kaluar vite në kërkim të uebfaqes pro vetëvrasjes. “Është vend shumë i rrezikshëm” – tha Angela.

“Ku tjetër do të shkoje që të gjeje një partner me të cilin do t’ia merrje vetes jetën? Është thjesht absolutisht e poshtër” – shtoi ajo.

Në uebfaqe inkurajohen përdoruesit që t’ia marrin jetën vetes dhe madje ofrohen udhëzime se ti të bëhet një gjë e tillë.

Analiza e BBC-së tregon për më shumë se 5 mijë postime nga persona të ndryshëm përreth botës.

Televizioni qëllimisht nuk i ka publikuar emrin e uebfaqes ose hollësitë rreth metodave që rekomandohen aty për të kryer vetëvrasje.

Sipas një hulumtimi të BBC-së në mars, më shumë se 130 britanikë mund t’i kenë dhënë fund jetës së tyre pas përdorimit të një lënde kimike që promovohet nga kjo uebfaqe.

Ekipi i BBC-së ka hapur një llogari anonime dhe i ka analizuar numrin dhe përmbajtjen e mesazheve.

Anëtarët i publikojnë moshën, gjininë, vendin dhe metodën e tyre të parapëlqyer për të vdekur, në kërkim të një personi tjetër që do të vdiste së bashku me ta.

Vetëvrasja nuk është zgjidhje!
Nëse keni mendime negative për veten ose për vetëlëndim, mund ta kontaktoni "Linjën e Jetës" falas në numrin 0800 12345, çdo ditë nga ora 14:00 deri në orën 02:00 pas mesnatës.

Lajme të ngjashme