Qeveria në largim e Sllovenisë nënshkruan mega marrëveshje të mbrojtjes
Qeveria në largim e qendrës së djathtë e Sllovenisë ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e 45 transportuesve të blinduar me tetë rrota nga Organizata për Bashkëpunim të Përbashkët të Armatimit (OCCAR), veprim ky të cilin qeveria e re liberale planifikon ta sfidojë.
Marrëveshja me vlerë rreth 400 milionë euro, përfshin blerjen e automjeteve të prodhuara nga firma gjermane Artec, një paketë logjistike dhe kostot e zhvillimit të industrisë. Automjetet e para pritet të dorëzohen në fund të vitit të ardhshëm, ndërsa dërgesa e fundit në vitin 2026.
Sllovenia do të rimbursojë gjithashtu 7.2 milionë euro kosto zhvillimi për Gjermaninë, Holandën, Lituaninë dhe MB-në, të cilat kanë marrë pjesë në programin OCCAR që nga fillimi i tij.
Megjithatë, blerja vazhdoi me një ritëm të shpejtë pasi Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë një ankesë në fund të prillit, pavarësisht se Ministria e Mbrojtjes në fillim kishte pretenduar se negociatat me OCCAR nuk do të fillonin derisa të zgjidheshin çështjet ligjore. Vetëm disa orë pas vendimit të gjykatës, ministria njoftoi se tashmë gjithçka ishte rënë dakord.
Qeveria pasi autorizoi ministrin e Mbrojtjes, Matej Tonin, ai menjëherë ka shkuar në Mynih për të nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit me OCCAR, ku edhe u nënshkrua marrëveshja përfundimtare mes Sllovenisë dhe Artec.
Shpejtësia me të cilën u negociua marrëveshja ka shkaktuar polemika të mëdha. Ndërsa qeveria ka ende kompetenca të plota ekzekutive, koalicioni i ardhshëm kishte kërkuar disa herë që të mos i impononte kosto qeverisë së re.
Por Tonin, një kampion prej kohësh i shpenzimeve më të larta të Mbrojtjes dhe i gatshëm për të përmbushur angazhimet e NATO-s, tha se ai po i bënte një nder qeverisë së re, pasi ajo do të përfshijë të Majtën, e cila kur ishte në koalicion në të kaluarën, ishte përpjekur vazhdimisht të rrëzonte propozimet për shpenzime të Mabrojtes.
“Më në fund jemi aty ku duhet të ishim 15 vjet më parë. Sllovenia po merr automjete të klasit të parë, të cilat do të përdoren për mbrojtjen kombëtare dhe mbrojtjen kolektive në kuadër të NATO-s”, tha ai pas nënshkrimit të marrëveshjes me OCCAR, shkruan Euractiv.
Mbetet e paqartë se çfarë mund të bëjë qeveria e re, por ata janë zotuar të përdorin të gjitha mjetet për të ndaluar marrëveshjen.
"Të tre partitë janë kundër blerjes dhe ne gjithashtu pajtohemi se do të përdorim të gjitha mjetet ligjore që kjo blerje të revokohet ose anulohet," ka deklaruar, Matej Tašner Vatovec, deputet i së Majtës.
Megjithatë, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes tha se opsioni i tërheqjes nga marrëveshja as që ishte marrë në konsideratë, kjo është arsyeja pse një përfundim do të përfshinte dënime "që mund të jenë mjaft të larta".