Qeveria iraniane duket e paprekur, edhe pse e degraduar, thotë shefja e inteligjencës amerikane - NACIONALE

Qeveria iraniane duket e paprekur, edhe pse e degraduar, thotë shefja e inteligjencës amerikane

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Qeveria iraniane është degraduar që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, por duket e paprekur dhe Teherani e grupet që i mbështet mbeten të aftë për t’i sulmuar interesat e Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve në Lindjen e Mesme, tha të mërkurën drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard.

“Regjimi në Iran duket i paprekur por shumë i degraduar nga Operacioni Furia Epike” – tha zonja Gabbard, duke iu referuar fushatës ushtarake amerikano-izraelite kundër Iranit, në një deklaratë hyrëse në seancën dëgjimore vjetore të Komitetit të Senatit për Inteligjencë rreth Rreziqeve Botërore ndaj Shteteve të Bashkuara, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Megjithatë, Irani dhe grupet e tij prokura mbeten të aftë dhe vazhdojnë që t’i sulmojnë interesat e ShBA-së dhe të aleatëve në Lindjen e Mesme. Nëse një regjim armiqësor mbijeton, ai do të synojë që të fillojë një përpjekje të gjatë me vite për t’i rindërtuar raketat e forcat e veta të dronëve” – deklaroi Gabbard.

Në seancën dëgjimore të Senatit, Kina, Rusia, Koreja e Veriut dhe Irani u identifikuan si armiqtë kryesorë, por fokusi ishte kryesisht te lufta me Iranin, e cila tani ka hyrë në javën e tretë. Ligjvënësit amerikanë nga të dyja partitë kanë thënë se duan më shumë informata rreth fushatës që ka lënë të vrarë mijëra njerëz, e ka prekur jetën e miliona të tjerëve dhe i ka lëkundur tregjet e energjisë dhe të aksioneve.

Demokratët në veçanti janë ankuar se Kongresi nuk është njoftuar në mënyrën e duhur për një konflikt që po u kushton me miliarda taksapaguesve amerikanë dhe kanë kërkuar dhënie publike të dëshmive e jo seanca të klasifikuara që janë mbajtur gjatë dy javëve të fundit.

Lajme të ngjashme