Qeveria gjermane e miraton projektligjin për legalizimin e marijuanës për qëllime rekreative
Kabineti gjerman të mërkurën miratoi një projektligj të kontestuar për përdorimin dhe kultivimin e kanabisit për qëllime rekreative.
Legjislacioni i ri, që ende nuk është miratuar nga deputetët, do t’i lejonte personat e rritur që të posedojnë deri në 25 gramë marijuanë, të kultivojnë më së shumti nga tri bimë të këtij lloji ose ta sigurojnë drogën në klube të kanabisit, raporton agjencia “Reuters”.
Qeveria e kancelarit Olaf Scholz shpreson që ky legjislacion do ta kufizojë tregun e zi, do t’i mbrojë konsumatorët nga marijuana e kontaminuar dhe do ta pakësojë ngarkesën e punës për sistemin e drejtësisë.
Nëse projektligji miratohet edhe nga deputetët, Gjermania do të bëhet njëri nga vendet me ligjet më të buta për kanabis në Evropë.
Megjithatë, kundërshtimet ndaj këtij projektligji janë të ashpra. Politikëbërësit e opozitës konservatore, në veçanti, kanë paralajmëruar se kjo masë do ta nxitë përdorimin e marijuanës dhe do të grumbullojë edhe më shumë punë për autoritetet.
Në mars të këtij viti, organi vëzhgues i OKB-së për substanca narkotike, tha se lëvizjet e qeverive për ta legalizuar përdorimin e marijuanës për qëllime rekreative kanë çuar në rritjen e konsumimit dhe të problemeve shëndetësore të lidhura me kanabisin.
Shumë shtete në Evropë tashmë e kanë legalizuar kanabisin për qëllime të kufizuara mjekësore, përfshirë Gjermaninë nga viti 2017. Disa të tjera e kanë dekriminalizuar përdorimin e përgjithshëm të kësaj droge.
Në fund të vitit 2021, Malta u bë shteti i parë evropian që mori vendim për t’i lejuar kultivimin dhe posedimin e kufizuar të kanabisit për qëllime personale.
