Qeveria e Gjermanisë thotë se njohja e shtetit palestinez tash do të ishte “kundërproduktive”
Një zëdhënës qeveritar gjerman tha të premten se Berlini tani për tani nuk ka plane për të njohur një shtet palestinez, sepse një gjë e tillë do t’i minonte përpjekjet për të arritur zgjidhje të negociuar me dy shtete me Izraelin.
“Një zgjidhje e negociuar me dy shtete mbetet qëllimi ynë, edhe nëse ajo sot duket e largët… Njohja e Palestinës ka më shumë gjasa që të vijë në fund të një procesi të tillë dhe vendime të tlla tani do të ishin kundërproduktive” – tha zëdhënësi gjerman në një konferencë për gazetarë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Disa shtete perëndimore, përfshirë Britaninë e Madhe, Francën, Kanadanë e Australinë, kanë njoftuar rishtazi se do të njohin një shtet palestinez me kushte të ndryshme.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i kanë dënuar këto vendime. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka kritikuar ashpër homologun e tij australian, Anthony Albanese, duke e quajtur “politikan të dobët” që i ka braktisur hebrenjtë australianë.
Qeveria izraelite rishtazi ka miratuar plane për marrjen nën kontroll ushtarak të Qytetit Gaza, duke shkaktuar alarm për pasojat e mundshme ndaj popullsisë civile.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka paralajmëruar se Qyteti Gaza do të shkatërrohet, nëse Hamasi nuk i përmbush kushtet e vendit të tij – lirimin e të gjitha pengjeve dhe çarmatosjen.