Qeni i presidentes së Moldavisë e kafshon presidentin e një shteti evropian - NACIONALE

Qeni i presidentes së Moldavisë e kafshon presidentin e një shteti evropian

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeni i presidentes së Moldavisë, Maia Sandu, e shkeli protokollin të enjten, duke e kafshuar në dorë mysafirin e rëndësishëm, presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen. Sidoqoftë, presidenti e fali për këtë gjest dhe ia dha një lodër kafshës.

Mediat moldave raportuan se incidenti ndodhi gjatë ecjes së dy presidentëve në ballkonin e rezidencës presidenciale moldave dhe kur presidenti austriak u mundua që ta ledhatonte qenin, raporton agjencia“Reuters”.

Presidentja Sandu kërkoi falje në gjuhën angleze dhe shpjegoi se qeni ishte i frikësuar nga numri i madh i njerëzve përreth tij. Austriaku u paraqit me dorë të lidhur në takimin e radhës me kryetarin e Kuvendit të Moldavisë.

Në një video të publikuar të premten në rrjetin “Instagram”, presidenti austriak tha: “Secili që më njeh e di se unë jam dashamirës i madh i kafshëve dhe mund ta kuptoj ngazëllimin e tij.”

Van der Bellen shtoi se takimi me homologen moldave dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit të Evropës Lindore ka qenë “shumë i mirë”.

Më tej, presidenti shtoi se i kishte dhënë qenit një lodër të vogël ditën e fundit të vizitës së tij në Moldavi.

Bisedimet në Çisinau, ku mori pjesë edhe presidentja e Sllovenisë, Natasa Pirc Musar, u përqendruan në synimin e Moldavisë për t’u anëtarësuar në BE.

Sandu, që e kishte marrë nën kujdes këtë qen pasi kafsha ishte goditur nga një veturë, publikoi në rrjete sociale fotografi me dy presidentët dhe me qenin e saj.

Lajme të ngjashme