Qendra boshnjake që po trajnon qen për deminim në Ukrainë - NACIONALE

Qendra boshnjake që po trajnon qen për deminim në Ukrainë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mey, pastor belg, dhe trajneri i këtij qeni, Kenan Muftiq, javën e kaluar mësuan se si të zbulojnë mina dhe armë të tjera të pashpërthyera, duke u ballafaquar me pengesa e skenarë të ndryshëm në një fushë me bar në periferi të Sarajevës, në Butmir.

Që nga themelimi i saj më 2004, Qendra Trajnuese për Globale e Ndihmave për Qen për Zbulimin e Minave dhe Lëndëve Plasëse e Popullit Norvegjez në Sarajevë ka trajnuar më shumë se 500 qen. Qentë e trajnuar janë dislokuar në zona konflikti në mbarë globin, përfshirë Kamboxhën, Zimbabvenë dhe Irakun, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kjo qendër ka dërguar gjithashtu 26 qen në Ukrainë, shteti me dendësinë më të madhe të minave në botë sipas një vlerësimi të vitit të kaluar nga Kombet e Bashkuara dhe Qeveria e Ukrainës.

Pak pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës më 2022, agjencia norvegjeze e ndihmave dërgoi qen për të asistuar në punën për pastrimin e miliona minave e pajisjeve të tjera shpërthyese, tha Muftiqi.

Në Ukrainë, qentë nga Butmiri u asistojnë ekipeve të deminimit në pastrimin e fushave në rajonet që janë prekur shumë, si në Kharkiv në veri dhe në Mykolaiv në jug.

“Në disa vende, ata janë afër vijave të frontit” – tha Muftiqi.

Minat e vendosura që nga fillimi i pushtimit rus i kushtojnë Ukrainës më shumë se 11 miliardë dollarë në prodhimin vendës bruto vjetor (GDP), sipas një raporti të vitit të kaluar nga Ministria e Ekonomisë e Ukrainës dhe Instituti “Tony Blair” për Ndryshim Global.

Fushat e minuara dhe mjetet e pashpërthyera lënë sipërfaqe të madhe bujqësore të paqasshme, duke i zvogëluar eksportet e Ukrainës dhe të hyrat e vendit nga taksat.

Bosnja, ende nuk u ballafaquar me trashëgiminë e luftës së viteve të nëntëdhjeta, ballafaqohet me sfida të ngjashme.

Sipas të dhënave të Qendrës për Veprim ndaj Minave në Bosnjë më 2023, minat e vendosura në mbarë vendin nga trupat serbe, boshnjake e kroate ende prekin rreth 15 për qind të popullsisë. Qentë e specializuar nganjëherë janë të pazëvendësueshëm në pastrimin e fushave të minuara.

“Në deminim, ne themi: një minë e gjetur, një familje e shpëtuar” – tha Muftiqi, i cili gjatë 27 viteve të fundit ka ndihmuar në pastrimin e mijëra minave dhe pajisjeve të tjera të pashpërthyera./Nacionale

Lajme të ngjashme