Qëllohet për vdekje një deputet i Kenias – vrasësit e kishin ndjekur me motoçikletë
Një deputet i Kenias është qëlluar për vdekje në rrugët e kryeqytetit Nairobi nga persona të armatosur që po lëviznin me motoçikletë.
Policia tha se sulmuesit kishin qenë duke i shkuar pas automjetit të deputetit Charles Ong’ondo para se njëri prej tyre të zbriste nga motoçikleta dhe ta qëllonte me armë nga afërsia, raporton televizioni BBC.
“Natyra e këtij krimi duket se ishte edhe e shënjestruar, edhe e paracaktuar” – tha në një deklaratë zëdhënësi i policisë, Muchiri Nyaga.
Mediat lokale raportuan se deputeti i vrarë, i cili ishte pjesë e opozitës, para dy muajve ishte ankuar për kërcënimet me jetë që i kishte marrë.
Pas të shtënave të mërkurën vonë, vozitësi dhe truproja e tij, të dy të palënduar, arritën që ta dërgonin deputetin me nxitim në spitalin e Nairobit, ku u shpall i vdekur.
Sulmi ndodhi përgjatë rrugës “Ngong”, afër një rrethrrotullimi të ngarkuar ku shpesh ka policë të trafikut dhe është zonë që përcillet me kamera të sigurisë.
Pak pas të shtënave, komandantë të lartë policorë dhe hetuesit e vizituan vendin e ngjarjes dhe hetimi është duke u zhvilluar, tha policia.
Presidenti William Ruto e ka urdhëruar policinë që të kryejë një hetim të plotë për vrasjen e deputetit, duke shtuar: “Ata që janë përgjegjës duhet të japin llogari.”/Nacionale