Qëllohen për vdekje tre turistë spanjollë e një civil afgan në Afganistan - NACIONALE

Qëllohen për vdekje tre turistë spanjollë e një civil afgan në Afganistan

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Tre turistë spanjollë dhe një civil afgan janë vrarë gjatë një sulmi me armë në provincën qendrore të Afganistanit, Bamiyan.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, në rrjetin X tha se është “i tmerruar nga lajmi për vrasjen e turistëve spanjollë në Afganistan”, raporton gazeta “The Guardian”.

Ministria e Jashtme e Spanjës tha se njësia konsulluese urgjente është mobilizuar plotësisht dhe se po u ofrohet asistencë familjeve të viktimave.

Katër të dyshuar u arrestuan në vend të ngjarjes në Bamiyan, zonë e njohur për turistë, dhe zyrtarët thanë se një hetim është duke u zhvilluar. Askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin që ndodhi në mbrëmje të vonshme.

Më herët të premten, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme në Afganistan, Abdul Mateen Qani, tha se katër të huaj të tjerë dhe tre afganë janë plagosur në sulm, pa e treguar shtetësinë e këtyre të huajve.

Një banor, i cili nuk deshi të identifikohej, tha se “dëgjoi zhurma të të shtënave të vazhdueshme dhe rrugët e qytetit, që çojnë te vendi, u bllokuan menjëherë nga forcat e sigurisë”.

Në Bamiyan ndodhet një zonë e mbrojtur nga UNESCO-ja dhe mbetjet e dy statujave gjigante të Budës, që ishin hedhur në erë nga talibanët gjatë pushtetit të tyre të mëparshëm më 2001.

Që nga rikthimi në pushtet më 2021, talibanët janë zotuar se do të sjellin siguri.

Sulmi i së premtes ishte në mesin e rasteve më serioze që kanë vënë në shënjestër shtetas të huaj që nga largimi i forcave të huaja nga Afganistani.

Lajme të ngjashme