‘Që nga fillimi i vitit Kharkivi i Ukrainës është goditur me mbi 40 raketa ruse’
Presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky ka thënë se më shumë se 40 raketa ruse e kanë goditur qytetin verilindor të Kharkiv që nga fillimi i vitit 2023.
"Vetëm që nga fillimi i këtij viti - në më pak se dy muaj e gjysmë - mbi 40 raketa armike kanë goditur tashmë Kharkivin,"- ka thënë Zelensky në fjalimin e tij të së shtunës, duke i quajtur "rrënojat, mbeturinat e vrimat e predhave në tokë"-portreti i Rusisë.
Ndërkohë, Oleh Synehubov, kreu i administratës ushtarake të rajonit Kharkiv, ka thënë se inxhinerët janë duke punuar për të rivendosur energjinë për mijëra klientë në rajon pas sulmit masiv rus të së enjtes.
Zelensky ka folur edhe për granatimet e zonave të tjera në Ukrainë, duke njoftuar për vrasjen e tre personave nga bombardimet në Kherson.
Presidenti ukrainas po ashtu ka njoftuar "një hap të ri sanksionues” kundër individëve dhe personave juridikë të lidhur me Rusinë.
“Është publikuar dekreti përkatës. Janë më shumë se 280 kompani dhe 120 persona që, përmes skemave të biznesit të lojërave të fatit, kanë punuar kundër Ukrainës, kanë tërhequr fonde nga shteti ynë dhe kanë financuar skema të ndryshme ruse,”- ka deklaruar Zelensky, duke shtuar se dekreti do të mbyll “skema me vlerë dhjetëra miliarda dollarë”.

