Putini thotë se ushtria ruse e ka rrethuar qytetin Pokrovsk të Ukrainës
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të enjten se forcat e vendit të tij e kanë rrethuar qytetin Pokrovsk të Ukrainës dhe kontrollojnë 70 për qind të tij.
Megjithatë, komandanti i ushtrisë ukrainase tha se trupat e tij ishin duke rezistuar fort dhe se luftime po zhvilloheshin në qendër të qytetit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Forcat ruse kanë qenë duke u munduar që ta marrin kontrollin e plotë të Pokrovskut, të cilin rusët e quajnë sipas emrit të periudhës sovjetike, Krasnoarmeyesk, që nga mesi i vitit 2024 si pjesë e përpjekjeve për ta kapur tërë rajonin e Donbasit.
Rusia thotë se Pokrovski, i quajtur edhe “porta e Donetskut” nga mediat ruse, do t’i jepte një platformë për të depërtuar në veri drejt dy qyteteve më të mëdha që ende janë nën kontrollin ukrainas në rajonin e Donetskut – Kramatorsk dhe Sloviansk.
Duke folur në një konferencë për gazetarë në Kirgizi të enjten, Putini tha se forcat ukrainase në Pokrovsk dhe në qytezën fqinje, Myrnohrad, të cilët rusët e quajnë Dimitrov, janë në telashe të mëdha dhe se Ukraina mund të ballafaqohet me kolapsim të vijës së frontit në vende të caktuara.
“Krasnoarmeysk-u (Pokrovsk) dhe Dimitrovi (Myrnohrad) janë të rrethuar plotësisht” – tha Putini para gazetarëve, duke shtuar se disa prej ushtarëve ukrainas më të përgatitur për luftime po shkatërrohen në këtë proces.
“70 për qind e territorit të Krasnoarmeysk-ut është në duart e forcave të armatosura ruse. Në jug të qytetit Dimitrov, grupi i armikut është shkëputur. Është i shpërndarë në mbarë qytetin. Dhe trupat tona janë duke lëvizur drejt shkatërrimit sistematik të tij” – shtoi presidenti rus.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha më herët të enjten se njësitet e saj sulmuese ishin duke avancuar në pjesët qendrore dhe veriore të Pokrovskit dhe se forcat e saj kishin avancuar në lindje, jug dhe perëndim të Myrnohradit.
Sidoqoftë, komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, përshkroi një gjendje tjetër. Ai tha në rrjete sociale se trupat e tij i kanë bllokuar përpjekjet e forcave ruse për të nisur sulme të reja ndaj këtyre dy qyteteve./Nacionale