Putini thotë se Rusia s’mund të jetë cak i fundamentalistëve islamikë
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të enjten se vendi i tij nuk mund të jetë cak për fundamentalistët islamikë, gati dy javë pas vrasjes së të paktën 144 personave afër Moskës gjatë një sulmi masiv për të cilin e mori përgjegjësinë ISIS-i.
“Ne kemi secilën arsye që të besojmë se qëllimi kryesor i atyre që e urdhëruan aktin e tmerrshëm dhe të përgjakshëm terrorist në Moskë ishte që të dëmtohej uniteti ynë” – tha kreu i Kremlinit në komentet e transmetuara në televizion, raporton agjencia “Reuters”.
“Nuk ka qëllime të tjera të dukshme, nuk ka asnjë, sepse Rusia nuk mund të jetë cak i sulmeve terroriste nga fundamentalistët islamikë. Ne jemi shtet që shfaq shembull unik të harmonisë dhe unitetit ndërfetar, të unitetit ndër-religjioz dhe ndëretnik” – shtoi presidenti rus.
Rusia ka pretenduar se sulmi në Moskë është urdhëruar nga Ukraina, por nuk ka paraqitur dëshmi për ta mbështetur këtë akuzë.
Në anën tjetër, Ukraina e ka mohuar përfshirjen në rast. Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar pretendimin e Rusisë si absurd. Uashingtoni e kishte paralajmëruar Moskën disa javë para rastit afër Moskës për rrezikun nga një sulm militantësh.